Abrashi: 149 fëmijë punojnë punë të rënda

Prishtinë | 27 Sht 2016 | 16:33 | Nga

Në Kosovë janë 149 fëmijë që punojnë punë të rënda dhe që janë nën menaxhimin e shërbyesve civil.

Kështu ka bërë të ditur ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi, gjatë dëgjimit publik të projektligjit për mbrojtjen e Fëmijëve të cilën e mbajti Komisioni parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, tha se divizioni i Punës Sociale e ka përgatitur raportin e punës për vitin 2015 në të gjitha komunat.

Tutje, ai u është  drejtuar të pranishmëve, duke kërkuar bashkëpunim të ngushtë me të gjitha institucionet relevante që kanë të bëjnë me këtë projektligj, në mënyrë që përmes këtij ligji, t’i ndihmojnë Qendrat për punë sociale komunale.

Ai theksoi se për të funksionuar ligji për fëmijët duhet të krijohet një grant specifik për zbatueshmërinë e shërbimit të fëmijëve.

Lirije Kajtazi, kryetare e komisionit për të Drejtat e Njeriut… e hapi diskutimin për të evidentuar mendimet e grupeve të interesit më qëllim të kompletimit sa më të mirë të këtij projektligji.

Në këtë debat të pranishmit kryesisht janë orientuar tek krijimi i një buxheti të veçantë për implementimin e Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve.

Anëtaret e komisionit, përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë, të Arsimit dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, kanë kërkuar që ligji të plotësohet me disa amandamente, të mos mbetët vetëm i shkruar mirë në letër, përderisa nuk zbatohet  në praktikë.

Si shumë e rëndësishme, nga pjesëmarrësit, është vlerësuar që gjatë amendamentimit të gjendet forma e krijimit të një granti specifik, në mënyrë që ligji të jetë i implementueshëm.

Gjithashtu gjatë amendamentimit të definohet më qartë ndarja e përgjegjësive ndër-institucionale për një ligj më funksional, si dhe, nxjerrja e amandamenteve me kohë.

 

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme