Abrashi dhe Rugova nënshkruan memorandum për financimin e projekteve infrastrukturore

Prishtinë | 13 Gus 2020 | 15:51 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, ka  nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit për financimin e projekteve infrastrukturore, me kryetarin e Komunës së Istogut, Haki Rugova.

 Ministri Abrashi tha se sot ishin në Istog për të filluar disa punë të mbara për këtë komunë dhe regjionin.

 Memorandumi i Mirëkuptimit që u nënshkrua sot, parasheh bartjen e kompetencave dhe mjetet buxhetore për fillimin e një rruge shumë të rëndësishme për Istogun që lidhet me Moknen.

“Po hapet një perspektivë e re zhvillimore në turizëm, ekonomi dhe blegtori edhe për Istogun dhe regjionin ku fillon një lidhje e rëndësishme e Istogut me bjeshkët”, tha Abrashi.

 Ministri Abrashi bëri të ditur se kanë diskutuar edhe për një projekt strategjik për Istogun për zonën përreth dhe Klinën.

 “Ideja e fillimit të projektimit të rrugës Istog–Klinë, rrugë e cila do të zgjerohet në katër korsi, që lidh Istogun me autostradën Prishtinë-Pejë, dhe me rrugën nga Dollci deri në Gjakovë dhe në autostradën Ibrahim Rugova”, tha Abrashi.

 Ndërsa kryetari i Istogut, Haki Rugova, tha se  realizmi i këtij projekti që lidh Istogun me Moknen, është një projekt i kamotshëm i cili shumë shpejt do të fillojë me fazën e parë.

 Në kuadër të Memorandumit që u nënshkrua sot, do të realizohet projekti “Ndërtimi i Rrugës Livadhet e Istogut – Mokën faza e parë”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme