Mbi 8 mijë veteranë të papunë kanë hyrë në skemën pensionale të shtetit që nga momenti kur Kuvendi, me mocion votëbesimi, e pati shkarkuar kryeministrin e atëhershëm, Isa Mustafa.
Ish-ministri i Punës, Arban Abrashi, ishte njëri prej ministrave që më së shumti ka pasur probleme buxhetore, pikërisht për shkak të rritjes së vazhdueshme të veteranëve të papunë.
Abrashi ka rrëfyer për Kohavisionin sfidat që kanë pasur me rritjen e numrit të veteranëve, pavarësisht që Komisionit i kishte përfunduar puna.
Për këtë shkak, ka thënë se e kishin hartuar edhe Ligjin e ri për Veteranët, në bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Ai ka reaguar edhe kundrejt deklaratave të ish-anëtarëve të Komisionit për njohjen e statusit të Veteranëve të UÇK-së, të cilët kanë deklaruar se Mustafa ua ndërpreu mandatin në gjysmë, duke mos ua dhënë mundësinë që t’i përmbyllin listat.
Sidoqoftë, për LDK-në zgjidhja e vetme është nxjerrja e një ligji të ri që do të përfshinte të gjitha kategoritë e luftës, ngase sipas tyre, kjo është zgjidhja më pak e kushtueshme për shtetin, për çka janë të gatshëm ta ndihmojnë qeverinë.
Ligji i ri për kategorizimin e veteranëve ishte votuar në dhjetorin e 2016-s, vetëm pas miratimit të të cilit, qeveria kishte arritur të lidhë marrëveshje “stand by” në vlerë prej 100 milionë eurosh me FMN-në.
Kategorizimi i veteranëve qe paraparë të përfundojë më 31 mars, por për shkak të ankesave në Gjykatën Kushtetuese, ai u shty për maj, por as në maj e as në qershor nuk ndodhi.
Klasifikimi nënkupton se veteranët do ta marrin pensionin, varësisht se në çfarë kohe ndodhi aktivizimi i tyre në luftë.
Dhe bazuar në atë që shumica e veteranëve janë aktivizuar në vitin 99, pensioni i tyre do të zbresë në 120 euro, buxheti për veteranë do të kursehej për disa milionë euro.