Kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi ka shpalosur programin e tij në hapjen zyrtare të fushatës.
Abrashi tha se realizimi i projekteve që ka në plan arrin koston prej 1.2 miliard eurosh, raporton Ekonomia Online.
“ Të gjitha projektet shpijnë në një investim 1,2 miliard euro në këto vite. Do të kemi zhvillim ekonomik dhe numër të madh të punësimit. E para që synojmë në kuadër të zhvillimit ekonomik, është që për themelimin e fondit të punësimit të ndajmë 4 milionë euro në 4 vite, për ndarjen e granteve në ndërmarrësi, të përkrahim të rinjtë në startet e tyre, të bëjmë subvencionimin e pagave. Të gjitha bizneset e vogla, të mëdha që duam të marrim fuqi punëtore, do të mundësojnë dhënien e pagave me një gjysmë pagë prej 6 muaj deri në 1 vit “, premtoi Abrashi.
Ndërtimi i tri zonave ekonomike në rrugët për Podujevë, Mitrovicë e Zona e Panaireve në Prishtinë, ishte premtimi tjetër i kandidatit për kryetar të Prishtinës nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
“ Do t’i fuqizojmë zonat ekonomike tek Fushë Kosova. Zonat ekonomike që janë më larg se Prishtina janë mundësi jo e favorshme për punëkërkuesin e Prishtinës dhe hezitojnë të punësohen atje. Do t’i sjellim ato zona më afër Prishtinës, rrugës për Podujevë dhe rrugës për Mitrovicë e të zona e panaireve’’, tha Abrashi.
Ai premtoi se tregjet e Prishtinës do të kthehen nën pronësi të Komunës.
“ Një pikë tjetër janë tregjet e Prishtinës që kanë një status të pazgjidhur. Tregtarët më kontrata afatshkurtëra, t’i kthejmë në pronësi të Komunës dhe t iu ofrojmë kontrata afatgjate. Në kuadër të zhvillimit ekonomik, sektori i ndërtimit është i padrejtë. Në kuadër të ndërtimit kemi parë sërë masash, ku eshtë harta zonale ku është dasht me u hartu kjo hartë, pas kësaj fillojmë me hartimin e secilës lagje të Prishtinës ”
Abrashi ka premtuar përkrahje edhe për bizneset e vogla, përmes së shoqatës së zejtarëve. Në kuadër të projekteve të tij ai përmend rigjenerimin e zonës së Gollakut, përfundimin e rrugës A dhe B, ndërtimin e unazës që fillon nga Kodra e Trimave e deri në Veternik.
“ Një projekt tjetër është, rigjenerimi ekonomik të zonës së Gollakut, të investojmë në infrastrukturë, duke i definuar zonat për banim ndërtim bujqesi dhe turizëm. Do të bëhet përfundimi i rrugës B, fillimin e rrugës A, fillimin e unazës së Prishtinës nga “ Kodra e Trimave” deri në Veternik që është projekti më i madh qe ka edhe kosto më të lartë “, u shpreh Abrashi.
Ndryshe, fushata zgjedhore për zgjedhjet që do të mbahen me 19 nëntor ka filluar sot zyrtarisht.