Administrata e shtetit duhet me qenë e hapur dhe transparente!

Prishtinë | 07 Pri 2025 | 14:35 | Nga Ardian Bajraktari

Parimi i administratës së hapur, është i garantuar me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative. Është neni 9, i këtij ligji që përcakton parimin e administratës së hapur, ku sipas këtij rregulli përkatësisht parimi, organet publike duhet të veprojnë me transparencë.

Për me tepër, është detyrim i organeve publik që të garantojnë të drejtën e palës/palëve për t’u informuar mbi ecurinë e procedurës administrative, qasjen në dosjen dhe dokumentet e tij dhe të drejtën e njoftimit me mjete të përshtatshme, në pajtim me këtë Ligj.

Ligji për procedurën e Përgjithshme Administrative, i cili i përcakton parimet bazë të punës së administratës, parasheh se transparenca dhe e drejta e palës për t’u informuar mund të kufizohen vetëm me ligj, kur kjo gjë është e domosdoshme për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, të të dhënave personale apo të dhënave afariste e profesionale, të mbrojtura sipas ligjit.

Asnjëra nga këto rrethana nuk plotësohen që të mund të justifikohej vendimi dhe veprimi i ZRR-së, për shmangie nga transparenca lidhur me çështjen a tarifave të energjisë.

Përtej kësaj, edhe Ligji për Rregullatorin e Energjisë, e ndjekë po këtë logjikë, pra, parimin e transparencës dhe punës së hapur, p.sh. është neni 25, paragrafi 4 i Ligjit, kur flet për punën e Bordit, dhe i cili ndër të tjera thekson se: “Seancat e Bordit normalisht janë të hapura për publikun…”

E drejta e publikut për t’u informuar për një proces kaq të rëndësishëm e i cili e prek xhepin e çdo qytetari, e prek jetën dhe mirëqenien e qytetarëve, nuk duhet të tjetërsohet.

Kush më mirë e bën një gjë të tillë se sa mediat, gazetarët dhe kameramanët, të cilët pa asnjë dyshim janë rrëfim suksesi në vendin tonë.

Prandaj, zbatoni ligjin, bëhuni më transparent, e keni detyrim ligjor.

Të ngjashme