Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, kryetari i Fushë Kosovës, Burim Berisha dhe ish-deputetja Melihate Tërmkolli kanë marr pjesë në përurimin e rrugës Bardh i Madh – Lismir -Fushë-Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Ministri Lekaj tha se fokusi i kësaj ministrie është ofrimi i kushteve sa më të mira me standarde evropiane.
“Është mirë që bashkërisht po e finalizojmë një projekte që ka një domethënie, e ajo është që qytetari do të fitoj kohë të lidhet shumë ma shpejtë por që është edhe një standard i krijuar në rrugët tona”.
“Ne për këto dy vite në këto projekte kemi vërë një standard e ai është që rrugët tona të kenë jetëgjatësi dhe të jenë të shenjëzuara me standarde evropiane dhe jo vetëm të gjuajmë asfalte, por të u ofrojmë kushte sa më të mira që në fokus të jetë qytetari, prandaj edhe ky projekt tregon se ne jemi pranë qytetarëve”.
Kryetari i Fushë Kosovës, Burim Berisha, tha se është përuruar një prej rrugëve më të mira.
“Sot e kemi ministrin Lekaj për ta përuruar një prej rrugëve më të mira në komunën e Fushë Kosovës, është kontribut i ministrisë. Ne dëshirojmë që kjo rrugë të mos përgjakët, por të shërbejë për biznes si për ahengje dhe shkuarje në lokalitete te tjera”, tha Berisha, raporton EO.
E, ish-deputetja Melihate Tërmkolli tha se ky projekt i përuruar sot është me standarde të larta.
“Është kontribut i të gjithëve është nis në qeverinë paraprake dhe më vjen mirë që ministri Pali e ka vazhduar dhe finalizuar, është një prej projekteve mendoj me standardet më të larta” ka përfunduar Tërmkolli
Ky projekt me 3.5 km ka kushtuar 476 959.67 euro.
Kjo rrugë që dikur ishte quajtur ‘Udha e shehrit’, tani e punuar me standarde, përmes qytetit të Fushë-Kosovës do t’i lidhë një pjesë të fshatrave të Komunës (Bardh i Madh, Lismir, Nakaradë) me qytetin e Prishtinës gjë që do ta lehtësoj qarkullimin dhe do të ndikojë në zhvillimin ekonomik, shoqëror, kulturor, arsimor të Komunës së Fushë-Kosovës.