Afganët e fundit nga Kosova zhvendosen në Lituani e Maqedoni të Veriut

Prishtinë | 01 Pri 2022 | 17:26 | Nga Ekonomia Online

Rreth 90 shtetas afganë kanë arritur së fundmi në Lituani e Maqedoni të Veriut, të cilët ishin të fundit që u zhvendosen nga Kosova.

Afganët të cilët më parë kanë punuar për NATO-n, ishin të evakuuarit e fundit nga Afganistani qe u larguan nga objektet e NATO-s në Kosovë, ku trupat e Forcave të Reagimit të NATO-s kanë ndihmuar për t’u ofruar mbështetje.

Përfaqësuesi i Përhershëm i Lituanisë në NATO, Deviidas Matulionis, tha se në këtë shtet janë vendosur për gjithmonë një grup prej 20 afganësh, të cilëve sipas tij, së shpejti do t’u jepet azil.

“Është detyra jonë morale të kontribuojmë në përmbushjen e detyrimit të NATO-s për rivendosjen e njerëzve që punuan për Aleancën në Afganistan. Jam i sigurt se ata do të mund të ndërtojnë një jetë të mirë dhe të qetë në vendin tonë. Ne kemi rivendosur tashmë mbi 170 afganë që punonin për Ushtrinë Lituaneze në Afganistan dhe dukej se po integroheshin shumë mirë”.

“Lituania është e vendosur më tej të jetë një aleate e vlefshme dhe të kontribuojë në përpjekjet tona të përbashkëta,” tha Matulionis, transmeton Klankosova.tv.

Ndërsa, Maqedonia e Veriut ka vendosur që t’u ofrojë strehim të përkohshëm 68 afganëve që ishin më parë në Kosovë, deri në zhvendosjen e tyre përfundimtare, numër ky që përbën mbi 800 afganë që u pranuan në Maqedoni të Veriut.

“Veprimet tona janë në frymën e solidaritetit me aleatët tanë dhe gjithashtu me partnerët tanë afganë që janë në rrezik në Afganistan. Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar për të dhënë kontribut të mëtejshëm për të mbështetur besueshmërinë dhe efikasitetin e NATO-s”, tha ambasadori Dane Taleski, Përfaqësuesi i Përhershëm i Maqedonisë së Veriut në NATO, përcjell Klankosova.tv.

Kujtojmë se gjatë muajit gusht, rreth 2 mijë afganë që punuan me NATO-n u evakuuan nga Kabuli, si pjesë e misionit më të madh evakuues në historinë e Aleancës Veri-Atlantike.

Gjatë javëve dhe muajve të fundit, mbi 470 ish-punonjës afganë bashkë me familjet e tyre u zhvendosën në Kanada, 150 në Mbretërinë e Bashkuar, më shumë se 130 në Gjermani, 80 në Norvegji dhe disa qindra të tjerë në vende të tjera aleate.

Të ngjashme