Dëshira për një jetë më të mirë në një nga vendet e perëndimit, nuk i është realizuar secilit që vitet e kaluara kanë bërë përpjekje ta braktisin Pejën.
Sabahudin Cirikoviq, shefi i Zyrës Komunale për Komunitete dhe Kthim në Komunën e Pejës, tregoi për KD-në se vjet janë kthyer 182 persona, prej të cilëve, 66 shqiptarë, 61 romë, 29 ashkalinj, 21 egjiptianë, 4 boshnjakë dhe 1 goranë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Sipas tij, të gjithë këta janë kthyer nga 12 vende të ndryshme të perëndimit. Më së shumti, siç thotë Cirikoviq, vjet janë kthyer nga Gjermania, gjithsejtë 116 veta, dhe nga Zvicra 25 e Belgjika 13 veta.
Në mesin e të riatdhesuarve është Visar A. nga Peja, i cili pas tre vjetëve qëndrimi në Gjermani, si azilkërkues, autoritetet e atij shteti e kanë kthyer mbrapa. Por për shkak të problemeve të papunësisë këtu, ai nuk e ka ndërmend të qëndrojë.
“Jam aty prapë ku isha para se ika jashtë. Mirëpo, nuk e kam ndërmend me ndejtë dhe jam ka shikoj prapë me dal, se këtu nuk jetohet pa punë e në këto kushte”, synon ai sërish të marrë rrugën e kurbetit, pa treguar se cili shtet është adresa e tij e radhës.