Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë ka njoftuar të martën se ka evakuuar anëtarët e stafit ndërkombëtar nga Rripi i Gazës, pas rritjes së protestave të punëtorëve të shqetësuar për pushim nga puna.
Drejtori i operacioneve të kësaj agjencie, Matthias Schmale ka thënë se nëntë persona të stafit ndërkombëtar janë dërguar përkohësisht në Jerusalem.
Agjencia është duke u përballur me krizë të thellë financiare, pasi administrata e Shteteve të Bashkuara ka ndërprerë financimin prej 300 milionë dollarëve.
Kjo agjenci ka larguar nga puna 113 anëtarë të stafit në Gaza derisa ka ndryshuar kontratat e qindra punëtorëve tjerë, çka ka rezultuar me protesta dhe greva.
Ekonomia e Gazës është duke u përballur me krizë të thellë, andaj vendet e punës është shumë e vështirë për t’u fituar.
Sipas Bankës Botërore, norma e papunësisë aktualisht në këtë vend është mbi 50 për qind.
Schmale, që vazhdon të jetë në Gaza ka thënë se menaxhmenti “nuk mund të funksionojë si duhet” nën këto kushte.
Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë është themeluar shtatë dekada më parë, për të ofruar shërbime për 700,000 palestinezë, të cilët kanë ikur apo janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, pas krijimit të Izraelit më 1948.
Sot kjo Agjenci shërben për 5 milionë refugjatë, duke përfshirë 1.3 milion vetëm në Gaza.