Agjencia për Informim dhe Privatësi paralajmëron mediet pas aksionit të sotëm të PSD-së

Prishtinë | 06 Mar 2023 | 16:04 | Nga Ekonomia Online

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka reaguar pas aksionit të sotëm të Partisë Socialdemokrate (PSD), e cila përmes një aktiviteti të saj para objektit të Qeverisë së Kosovës ka shpalosur listat me nënshkrimet e peticionit të vitit 2016 kundër Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Agjencia kërkon nga mediet, por edhe qytetarët që përdorin rrjetet sociale, që “të respektojnë kuadrin ligjor në fuqi në mbrojtjen e të dhënave personale, që gjatë transmetimit apo njoftimit me lajmin të mos publikojnë të dhënat personale të qytetarëve që gjenden në listat e shpërndara, duke aplikuar efektet e mjegullimit”.

NJOFTIMI I PLOTË:

Sot, Partia Social Demokrate e Kosovës, përmes një aktiviteti të saj para objektit të Qeverisë së Kosovës ka shpalosur listat me nënshkrimet e peticionit të vitit 2016 kundër Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Ato lista përmbajnë kategori të të dhënave personale të qytetarëve, të cilat janë mbledhur dhe përpunuar për një qëllim specifik (peticionin e vitit 2016 kundër Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe).

Agjencia për Informim dhe Privatësi është njoftuar nga lajmet e publikuara në mediume, të postuara apo ripostuara edhe në rrjete sociale, me pamjet e këtij aktiviteti, të cilat dukshëm shpërfaqin shpalosjen e dokumenteve të peticionit me të dhëna personale të qytetarëve.

Agjencia për Informim dhe Privatësi u bën thirrje subjekteve mediatike/portaleve, ashtu si edhe qytetarëve që përdorin rrjetet sociale, të respektojnë kuadrin ligjor në fuqi në mbrojtjen e të dhënave personale, që gjatë transmetimit apo njoftimit me lajmin të mos publikojnë të dhënat personale të qytetarëve që gjenden në listat e shpërndara, duke aplikuar efektet e mjegullimit.

Agjencia mbetet e përkushtuar që të zbatojë legjislacionin përkatës konform mandatit dhe kompetencave të saj, duke vlerësuar lart rolin e mediumeve në informimin e drejtë dhe të saktë të publikut.

Zyra për Komunikim me Publikun Agjencia për Informim dhe Privatësi

Të ngjashme