Agjenda ekonomike sfidohet nga politika ditore

Prishtinë | 31 Gus 2018 | 01:41 | Nga

Shaqir Palushi, pronar i kompanisë “Frutex”, ka thënë për gazetën “Epoka e Re” se është për keqardhje fokusi i Qeverisë vetëm në çështjet politike.“Fatkeqësisht, në rend dite nuk vjen çështja e zhvillimit ekonomik pasi çdoherë dalin tema të reja të cilat e pengojnë zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Vetë fokusi i Qeverisë përqendrohet në temat politike, kurse në anën tjetër është edhe më keq që investitorët e mundshëm potencialë tremben vazhdimisht nga zhvillimet politike në vend. Po ashtu, jemi dëshmitarë që shumë kompani të fuqishme dhe miq të Kosovës nuk investojnë në Kosovë, por shkojnë në vendet e rajonit, sidomos në Serbi, prandaj agjenda politike shpeshherë e ka dëmtuar zhvillimin ekonomik të vendit”, ka thënë Palushi.

Ai ka shtuar se sfida me të cilën vazhdojnë të përballen bizneset e Kosovës tashmë është dashur të jetë e harruar.

Palushi ka theksuar se sfida mbesin energjia elektrike, mungesa e atasheve ekonomikë dhe mosliberalizimi i vizave.“Ka sfida dhe probleme të ndryshme me të cilat ballafaqohemi si prodhues.

Një prej tyre është furnizimi me energji elektrike, qasja në tregjet ndërkombëtare, për faktin se në këtë drejtim ka kufizim, gjithashtu edhe mosliberalizimi i vizave është duke ndikuar në stagnim të prodhuesve të Kosovës”, ka thënë Palushi, duke shtuar se sa i përket lobit ekonomik apo diplomacisë ekonomike, gjithmonë ka munguar një qasje më pragmatike.

“Nuk e di çfarë bëjnë ambasadat dhe njerëzit tanë atje sa i përket zhvillimit ekonomik të Kosovës. Shikoni ambasadat e huaja, janë shumë aktive në agjendën ekonomike të shteteve që përfaqësojnë. Na ka rastisur shumë kur partnerët tanë vijnë të na vizitojnë, ata janë të shoqëruar nga përfaqësuesit ekonomikë të ambasadave, kurse nga Kosova nuk ka ndodhur asnjëherë, tē shoqërohemi nga atashetë ekonomikë”, është shprehur Palushi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme