AGK-ja kërkon nga gazetarët bojkotimin e takimeve LVV-LDK

Prishtinë | 09 Jan 2020 | 16:47 | Nga Ekonomia Online

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka kërkuar nga gazetarët që të bojkotojnë takimet LVV-LDK.

Tash e sa muaj, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), janë duke zhvilluar takime për arritjen e marrëveshjes mirëpo, deri më tani një gjë e tillë nuk është bërë.

Për tërë këta muaj, janë gazetarët ata që po qëndrojnë për orë të tëra jashtë objekteve ku po mbahen takimet dhe nuk po u lejohet hyrja brenda objekteve dhe përgjigja që është dhënë nga zyrtarë të ndryshëm të këtyre dy subjekteve politike ka qenë se “do të takohen përsëri”, shkruan lajmi.net.

Duke e parë këtë situatë në të cilën po gjenden gazetarët, ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).

Është kryetarja e AGK-së, Gentiana Begolli-Pustina, ajo e cila përmes një postimi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se AGK do të kërkojë nga të gjithë gazetarët që të bojkotojnë takimet LVV-LDK.

Postimi i plotë i Begolli-Pustinës pa ndërhyrje:

Tërësisht e papranueshme, jo korrekte, jo profesionale, për më tepër edhe jo humane, trajtimi i gazetarëve dhe xhiruesve gjatë përcjelljes së takimeve në mes VV e LDK.

Përderisa këto takime zgjasin me orë të tëra, gazetarët janë të detyruar të qëndrojnë jashtë, në temperatura të ulëta.

Kërkojmë që urgjentisht të merren masa që kolegët tonë të trajtohen me korrektësi, në mënyrë dinjitoze dhe mos të vazhdoj edhe më tutje ky trajtim jo human.

Nëse gazetarët e xhiruesit do të vazhdojnë edhe me tutje të ballafaqohen me këtë trajtim, ne si AGK do të kërkojmë nga kolegët tonë bojkotimin e përcjelljes së takimeve, ku anëtarët e komunitetit tonë shpërfillen dhe pengohen në kryerjen e detyrës së tyre. 

Të ngjashme