Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është i shqetësuar jashtëzakonisht shumë me mbylljen e dy seancave gjyqësore gjatë ditës së sotme, rasti “Mekaj”, si dhe rasti “Stenta”.
Shprehim kundërshtimin tonë me veprimet e papranueshme të sistemit të drejtësisë.
AGK-ja ditë më parë kishte kërkuar nga gjykatësi i Gjykatës Themelore të Prishtinës Shasivar Hoti të rishikojë vendimin e tij për mbylljen për publikun dhe mediat të gjykimit në rastin e ish-kryetarit të Gjykatës se Apelit Salih Mekaj.
Porse sot është dëshmuar se ky institucion nuk është i interesuar që të respektojë parimet për transparencë.
Kundërshtimin tonë nuk e ka marr parasysh as gjykatësja e rastit “Stenta”, Shadije Gërguri.
Arsyetimi se salla është e vogël dhe se ka numër të madh të të akuzuarve paraqet arsyetim joserioz dhe të pa qëndrueshëm për gazetarët në vend.
AGK iu bënë thirrje të dy gjykatësve të rasteve në fjalë si dhe Gjykatës Themelore që të ndërmarrin veprime të menjëhershme duke garantuar transparenë në drejtësi.
Mungesa e transparencës në drejtësi krijon hapësirë për spekulime dhe motivon sinjalizuesit e brendshëm të rrjedhin dokumente nga gjykata.
Për më tepër, këto vendime do të inkurajojnë të akuzuar të tjerë të kërkojnë mbyllje të seancave gjyqësore.
Kështu, Themelorja ka krijuar precedent për fshehjen nga publiku të veprimeve të dyshuara kriminale të zyrtarëve të lartë.
AGK është poashtu thellësisht e zhgënjyer me prokuroret të cilët në vend se të kërkojnë gjykim publik për të dëshmuar punën e prokurorisë janë pajtuar me interesat e palës së të akuzuarve.