AGK: Klimë e rëndë për të bërë gazetari

Prishtinë | 17 Dhj 2016 | 11:47 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka paraqitur sot raportin hulumtues të gjendjes së mediave në vend, përmes një konference për media.

Të gjeturat e këtij raporti tregojnë për përkeqësim ekonomik të pozitës së gazetarëve, censura dhe vetë-censura, qasje e vogël në dokumente publike, kërcënime dhe sulme fizike ndaj gazetarëve dhe profesionistëve tjerë medialë, gjyqësor dhe prokurori joefikase në trajtimin e rasteve të kërcënimeve, probleme në transmetuesin publik e shumë të tjera.

Kryetari i Asociacionit, Shkëlqim Hyseni tha se organizata që drejton ka qenë me aktive në mbrojtje të gazetarëve, por edhe bashkëpunimit me organizata ndërkombëtare.

“Gjatë vitit ka pasur shumë sfida për gazetarë që janë ballafaquar me jotransparencë, por gjykatat nuk kanë ecur shpejt në rastet e gazetarëve”, ka thënë Hyseni.

“Ne si Asociacion në partneritet me organizata ndërkombëtare, sot po rezulton me këtë raport që ka publikuar gjetjet dhe rekomandimet që do t’i adresohen institucioneve. Klimë e rëndë për të bërë gazetari, si për gazetarë ashtu edhe për medie”, ka thënë ai.

Raporti “Treguesit e nivelit të lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve” është kryer në bazë të analizave cilësore të dokumenteve, intervista cilësore me 14 individë – shumica gazetarë, anketa me 50 gazetarë dhe në bazë të dhënave zyrtare statistikore.

Raporti është i ndarë në tri grupe: A) Mbrojtja ligjore e lirisë së mediave, B) Pozita e gazetarëve nëpër redaksi, etika profesionale dhe niveli i censurës, dhe C) Siguria e gazetarëve.

Legjislacioni vendor ofron garanci për lirinë e shprehjes, të mediave dhe informacionit mirëpo vlerësimi i përgjithshëm i të gjithë gazetarëve dhe ekspertëve të intervistuar është se zbatimi i garancive të tilla ligjore është i dobët në praktikë.

Ligji për qasje në dokumente publike vazhdon të jetë ligji që nuk respektohet nga institucionet shtetërore. Sipas anketës, 78% të gazetarëve kanë theksuar se institucionet shtetërore kanë refuzuar t’u japin qasje atyre në dokumente publike, të nevojshme për raportimin e tyre. Gazetarët e anketuar thonë se Kuvendi i Kosovës është më i hapur ndërsa qeveria është më e mbyllur.

Gazetarët e intervistuar kanë cekur disa brenga të tyre si mungesa e kontratave të punës, vonesat e pagave dhe borgjet ndaj tyre nga pronarët, gazetarët punojnë jashtë orarit dhe nuk kompensohen, dhe gjysma e gazetarëve të anketuar kanë thënë se pozita e tyre ekonomike është përkeqësuar ndër vite.

Kur bëhet fjalë për sigurinë e gazetarëve, ata thonë se sistemi i drejtësisë nuk është efikas në trajtimin e lëndëve të tyre kur ata kërcënohen apo sulmohen fizikisht. Sipas AGK-së, që nga viti 2014 e deri më tetor 2016, janë paraqitur 43 raste, shumica prej tyre kërcënime dhe sulme fizike. Ndërsa, sipas statistikave të policisë, që nga viti 2013 e deri më gusht 2016, 63 gazetarë kanë raportuar rastet e tyre në polici.  

Raporti rekomandon partitë politike që të heqin dorë nga ushtrimi i ndikimit në transmetuesin publik. AGK rekomandon po ashtu që Kuvendi i Kosovës duhet të gjejë një zgjidhje të duhur financiare për RTK-në.

Këto janë 15 pika ku AGK mendon se janë pengesa për të bërë gazetari në Kosovë:

1. Ndikimi i institucioneve është jashtëzakonisht i madh
2. Qeveria shpërndan qindramijëra euro për të pasur ndikim
3. Ministritë ndajnë financa direkt tek një numër i lartë i portaleve
4. Partitë politike kane hapur portale
5. Gjykatat nuk i marrin përsipër vendimet e trupave vetrregulluese
6. 78% e gazetareve thonë se institucionet nuk iu kthejnë përgjigje
7. Gjysma e gazetareve thonë se pagat e tyre janë nga 200 deri 500 euro, bruto
8. Vonesat shkojnë deri në 3 muaj
9. Gazetaret punojnë gjate ditëve te pushimit pa kompensime
10. Gazetaret thonë se vonesa ne paga i dërgon drejt vetcensures
11. 50% e gazetareve thonë se redaktoret janë ndikuesit kryesor ne punën e tyre
12. 30% thonë se drejtoret/menaxheret ndikojnë direkt ne punen e gazetareve
13. 16% e gazetareve thonë se në punën e tyre kane ndikim grupet e interesit
14. 30% thonë se janë të censuruar
15. Asnjë institucion shtetëror nuk publikon të dhëna për sulme ndaj gazetareve

img_9640

img_9644

Të ngjashme