AGK: Mediet nuk raportojnë për abortin selektiv

Prishtinë | 24 Tet 2016 | 12:17 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka organizuar sot një takim me përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe me organizatën joqeveritare AMC, për të diskutuar për shëndetin seksual riprodhues në Kosovë dhe raportimin e medieve përkrah kësaj fushe.

Në këtë takim u theksua në mes tjerash se medieve në Kosovë u mungon interesimi edhe për abortin selektiv dhe nuk ka ndonjë statistikë rreth kësaj çështje.

Shkëlqim Hysenaj, kryetar i AGK-së tha mision i medieve është që të raportojnë dhe të mbështesin organizatat joqeveritare të cilat kanë për qëllim shëndetin seksual riprodhues në Kosovë.

“Askush sot nuk raporton për abortin selektiv që ekziston në shoqërinë tonë. Sidomos në Kosovë dhe Maqedoni është shumë i përhapur. Kjo dukuri vazhdon të mbijetojë pavarësisht ndryshimeve që kanë ndodhur në Kosovë. Aborti Selektiv është përzgjedhja e gjinisë së foshnjës. Kjo zakonisht ndodh nëpër spitale apo edhe klinika private kur prindërit nëse e kuptojnë që fëmija i tyre në këtë rast është vajzë e abortojnë dhe kjo ndodh për shkak të mentalitetit. Çuditërisht deri më tani ende nuk ka ndonjë statistikë për këto aborte, e ndoshta edhe aborte të detyrueshme, e që nuk raportohet për to. Institucionet tona në këtë drejtim kanë dështuar”, ka thënë Hysenaj.

Merita Vuthaj, udhëheqëse e Divizionit të Nënës dhe Fëmijës në Ministrinë e Shëndetësisë, tha se shëndeti riprodhues është aftësi e njerëzve për të riprodhuar i lirë për mënyrën dhe kohën e riprodhimit.

“Kosova ka popullsinë më të re në Evropë, mosha e të cilëve sillet rreth 25 vjeç. Nga kjo popullsi 53.9% janë femra, të cilat drejtpërsëdrejti preken me shëndetin riprodhues. Shëndeti riprodhues dhe shëndeti seksual ngjajnë njëra me tjetrën, por që nuk janë të njëjta. Shëndeti seksual nuk është gjithëpërfshirës ai është vetëm një kamponim i shëndetit riprodhues”, ka shtuar Vuthaj.

Kurse Edita Gashi nga organizata për kujdesin ndaj nënave dhe fëmijëve (AMC), tregoi që kjo organizatë ka për qëllim katër etapa, që të kontrollojnë klinikat të cilat kanë për qëllim kujdesin e nënave dhe fëmijëve.

“Kemi për qëllim katër etapa, Edukuese, evokuese, arsyetim e hulumtimeve dhe furnizimi i pajisjeve mjekësore në QKUK. Deri më tani ne kemi hapur katër qendra për kujdesin ndaj nënës. Dy të fundit janë në Mitrovicë dhe në Shtërpcë. Këto qendra kanë qenë të nevojshme për 2 500 gra të cilat jetojnë në këto pjesë të Kosovës. Tjetër projekt i joni është sëmundja e kancerit të mitrës. Për grat të cilat janë të prekura nga ky kancer ne ofrojmë kontrolle pa pagesë”, ka thënë Gashi.

Të ngjashme