Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës bëri të ditur se është duke përcjell me vëmendje rastin gjyqësor të privatësisë, Adem Grabovci kundër gazetës online “Insajderi”.
AGK thekson se tashmë është bërë praktikë që partitë politike dhe njerëzit e fuqishëm në pushtet gjithnjë e më shumë janë duke paditur mediat dhe gazetarët.
“Kjo është duke ndodhur edhe kur raportimi është i bazuar në fakte dhe bëhet me qëllim të frikësimit të gazetarëve. Përdorimi i mjeteve ligjore për të realizuar një të drejtë është metodë demokratike. Mirëpo, marrë parasysh sistemin fragjil të drejtësisë në Kosovë, komuniteti i gazetareve frikësohet se ky rast mund të mos zgjidhet në mënyrë meritore. Për këtë arsye dhe duke mos paragjykuar vendimin final të gjykatës, i rekomandojmë Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe instancave të tjera gjyqësore që të shqyrtojnë këtë rast bazuar në standardet e krijuara nga Gjykata Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut dhe Këshilli i Evropës. Njëkohësisht i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar, sidomos OSBE-së, Këshillit të Evropës dhe zyrës së BE-së të monitorojë nga afër rastin gjyqësor kundër gazetës Insajder”, thuhet në reagim.
AGK kërkoi nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës të përgatisë dhe të publikojë të dhënat e tij rreth rasteve kundër mediave dhe gazetarëve.
“Kjo do t’i mundësonte AGK-së të monitorojë zhvillimet në këtë fushë dhe kualitetin e aktgjykimeve”, thuhet në njoftim.