Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi, ka pritur në një takim përfaqësuesit e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Petrit Çollaku dhe Ardian Nikolla, hulumtues në AGK.
AGK është njoftuar nga kryetarja e Gjykatës me punën e Gjykatës në përgjithësi me strukturën organizative të Gjykatës Themelore në Prishtinë si dhe me rolin e Departamenteve brenda Gjykatës.
Qëllimi i takimit ishte diskutimi lidhur me lëndët të cilat kanë të bëjnë me kërcënimin dhe sulmet ndaj gazetarëve në Kosovë, të cilat janë duke u proceduar në Gjykatë.
Gjatë këtij takimi është diskutuar lidhur me sfidat me të cilat është duke u ballafaquar Gjykata, me numër të vogël të gjyqtarëve dhe rritje të madhe të numrit të lëndëve të arritura në Gjykatë, sidomos në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Penale dhe Divizioni për Çështje Civile.
Përfaqësuesit e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës kryesisht u përqendruan në rastet e gazetarëve të cilët janë duke u proceduar në Gjykatë, dhe kërkuan nga kryetarja që këto lëndë të procedohen sa më parë dhe të merren me prioritet nga ana e Gjykatës.
Në fund, kryetarja e Gjykatës, premtoj se edhe në të ardhmen do të vazhdojë bashkëpunimi profesional, përkrahja dhe mbështetja nga ana e Gjykatës, duke shpresuar se Gjykata do të rrisë edhe më shumë efikasitetin e zgjidhjes së lëndëve që kanë të bëjnë me gazetarët në përgjithësi, po ashtu kryetarja deklaroj se do të kërkojë nga ana e gjyqtarëve përkatës që të procedojnë sa më shpejt rastet e gazetarëve, në divizionin për çështje civile dhe në divizionin për çështje penale.