Agron Llugaliu është bërë drejtor i ri i përgjithshëm i Doganës së Kosovës.
Kjo u bë e ditur në njoftimin e Doganës së Kosovës, në të cilin thuhet se sot është mbajtur ceremonia e pranim – dorëzimit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm nga ushtruesi i detyrës Bajram Rexha tek drejtori i ri i përgjithshëm Agron Llugaliu, sipas vendimit të Qeverisë së Rrepublikës së Kosovës 07/1017 të datës 22/04/2021.
Drejtori i sapo zgjedhur, Agron Llugaliu, ka thënë se detyra e re nuk është privilegj, por përgjegjësi e madhe në drejtimin e doganës.
“Synoj që të reformojmë dhe modernizojmë strukturën dhe proceset e punës, me qëllim të orientimit të Doganës së Kosovës në shërbim të qytetarit dhe bizneseve të vendit, në veçanti për nxitje të eksportit dhe favorizim të investimeve të huaja, përmes sundimit të mirëfilltë të ligjit dhe ofrimit të shërbimeve të avancuara të zhdoganimit. Në anën tjetër do të jemi të përkushtuar në evitimin e praktikave jo-profesionale dhe në luftimin e ekonomisë jo-formale”, ka thënë Llugaliu.