Bordi i Federatës së Hendbollit të Kosovës (FHK) ka pranuar dorëheqjen e Agron Shabanit nga posti i përzgjedhësit të Kombëtares A të Kosovës në konkurrencën e femrave, duke i dhënë fund një periudhe më shumë se tetëvjeçare në krye të ekipit kombëtar.
Në mbledhjen e mbajtur të enjten, Bordi shqyrtoi dhe miratoi dorëheqjen e Shabanit, ndërsa shprehu mirënjohje të veçantë për punën dhe përkushtimin e tij gjatë viteve në drejtimin e Kombëtares.
Agron Shabani ishte emëruar përzgjedhës më 25 janar 2018 dhe gjatë mandatit të tij Kosova arriti disa nga sukseset më të rëndësishme në historinë e hendbollit të femrave. Nën drejtimin e tij, Kombëtarja u stabilizua në kualifikimet për Kampionatin Evropian dhe kaloi dy herë fazën e parë kualifikuese për Kampionatin Botëror.
Ndër rezultatet më të spikatura veçohen eliminimi i Ishujve Faroe në kualifikimet për Botërorin 2023, si dhe fitoret mbresëlënëse ndaj Belgjikës dhe Bosnjë-Hercegovinës në kualifikimet për Botërorin 2025. Po ashtu, në këtë periudhë Kosova regjistroi fitore të rëndësishme edhe ndaj Qipros dhe Luksemburgut, duke zhvilluar njëkohësisht paraqitje dinjitoze përballë superfuqive të hendbollit evropian.
Në emër të Bordit të FHK-së dhe gjithë komunitetit të hendbollit kosovar, presidenti Edin Kolgeci e falënderoi Agron Shabanin për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, duke vlerësuar punën dhe përkushtimin që ka dhënë për zhvillimin e Kombëtares dhe të hendbollit në Kosovë.