Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka komentuar mbi rastin e vjedhjes së mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.
Duke e krahasuar këtë rast me një serial të platformës Netflix, “Ozark”, Ahmeti ka pyetur se: “A ka garancë që kjo është hera e parë që ka vjedhë dikush me këtë metodë, e jo hera e parë që i kanë zënë”.
Teksa ka përshkruar ngjarjen e serialit, Ahmeti në Facebook aludon se kjo mund të mos jetë hera e parë e vjedhjes nga shteti porse herë e parë që është bërë publike dhe janë zënë.
Sot, është vetëdorëzuar pronari i kompanisë “LDA Group”, Kadri Shala, kompani në të cilën janë transferuar afro 2.1 milionë euro nga Thesari i Kosovës.
Më 9 tetor, brenda disa orësh janë zhdukur 2 milionë e 77 mijë euro nga Thesari. Dyshimet e para janë se vjedhja është kryer përmes sistemit elektronik për Menaxhimin Financiar dhe Kontroll. Transferet ishin bërë në emër të tri projekteve rrugore.
Ndërkaq, i pari i arrestuar nga ky rast ishte Labinot Gruda, ish-zyrtar financiar në Departamentin e Thesarit, i cili për 11 vite mbante këtë pozitë.