Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka mbajtur dhe sot një konferencë për medie, për të shtjelluar projektet që do t’i realizojë nëse e fiton dhe një mandat.
Kandidati i Vetëvendosjes, i cili para disa ditësh, paraqiti programin “Prishtina, qytet në çdo lagje” me 10 fusha si prioritete kryesore, sot shpalosi detaje rreth pikës 6. Lagjja jonë me arsim të mirëfilltë.
Pasi ka bërë një përmbledhje të punëve të kryera gjatë 4 viteve në arsim, Ahmeti ka thënë se për mandatin e dytë kanë paraparë një varg prioritetesh, që do të ndikojnë në kompletimin e rrjetit të shkollave, por edhe vazhdimin e reformave dhe ngritjen e cilësisë.
“Gjatë mandatit të parë kishim premtuar arsim në shërbim të zhvillimit, çerdhe, barazi e shujta për fëmijë. I hapëm një numër çerdhesh dhe priten edhe të tjera. U hap “Botanika”, në lagjen MATI II; “Ngjyrat”, në lagjen Hajvalia; “Shtëpia Magjike”, në fshatin Besi (për herë të parë çerdhe në fshat), “Shkronjat”, në lagjen Arbëria III; “Zogjtë”, në lagjen Sofalia; dhe janë në përfundim ndërtimi i çerdhes në lagjen Kodra e Trimave për 240 fëmijë dhe në lagjen. Çmimi në çerdhet me bazë në komunitet subvencionohet nga komuna e Prishtinës në bazë të të ardhurave të prindërve”, tha Ahmeti.
“Kemi shpërndarë kifle dhe qumësht falas për të gjithë fëmijët në klasat I-V dhe për nxënësit e klasave të VI-IX në shkollat e përfshira në mësimin tërë ditor. Kemi shpërndarë mbi 10 milion shujta për këto katër vite, duke mos lënë kështu asnjë nga këta nxënës të uritur. Kemi ndërtuar kënde të leximit në çdo shkollë në Prishtinë. Kemi instaluar 102 kabinete të reja për fizikë, kimi, biologji dhe farmaci, kemi pajisur 29 institucione edukativo-arsimore me pajisje teknologjike; dhe 7 shkolla me biblioteka shkollore. Kemi përmirësuar procesin e regjistrimit, përzgjedhjen e drejtorëve me komunitet, e deri te trajnimet e veçanta për ngritjen e cilësisë”.
Ahmeti u shpreh se këto nuk mjaftojnë. “Për mandatin e dytë kemi paraparë një varg prioritetesh, që do të ndikojnë në kompletimin e rrjetit të shkollave. Tashmë është nënshkruar marrëveshja me IFC – Banka botërore për ndihmën për përgatitjen dhe implementimin e programit të PFI për ndërtimin e pesë shkollave në Komunën e Prishtinës në të njëjtën kohë. Në vitin 2018 fillon ndërtimi i shkollave të reja në lagjet Mati 1, Kalabria, Sofalia, Arbëria dhe Veternik. Me këto pesë shkolla do të kompletohet rrjeti primar i shollave fillore në Komunën e Prishtinës, dhe do të shkarkohen nga mbingarkesa shumë shkolla në qendër të Prishtinës”.
Sipas tij, do të vazhdojë programi i zgjerimit të çerdheve me kosto të përballueshme në qytet. Lagjet me prioritet, janë Kalabria, Veterniku, Kolovica dhe Bardhoshi. Kjo nuk përjashton edhe hapjen e çerdheve të reja në lagje tjera ku gjenden objekte të përshtatshme.
“Do të vazhdojmë me reformën për mësimin gjithëditor në disa shkolla të Prishtinës, dhe po ashtu me reformën e caktimit të mësimdhënësve nëpër shkolla. Në diskutime me Sindikatën e Arsimit do të nisim iniciativa për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënësve aktualë. Edhe pse është përmirësuar dukshëm cilësia e rekrutimit, korniza ligjore mbetet si kufizim tepër i madh në këtë drejtim. Në mandatin e dytë do të kalojmë edhe në testime kompjuterike që shmangin mundësinë e vlerësimit subjektiv të kandidatëve për mësimdhënës”.
Tjetër premtim i Ahmeti është përmirësimi i cilësisë së ushqimit në shkolla fillore. “Në diskutim me nutricistët, prindërit dhe shkollat, çdo vit do të shikojmë mundësinë e përmirësimit të cilësisë së shujtave për klasat I – V e cila tash përbëhet nga një qumësht dhe një kifle”.
“Për të gjitha këto, na duhet vota e qytetarëve të Prishtinës, përveç për kryetar komune, edhe për Kuvend Komunal”, ka përfunduar Shpend Agmeti.
Në programin e tij të qeverisjes “Prishtina, qytet në çdo lagje”, Ahmeti ka paraparë 10 fusha kryesore.
1. Lagja jonë e pastër dhe me rregull e rend
2. Lagjja jonë me sport dhe rekreacion
3. Mobilitet dhe parkingje edhe në lagjen tonë
4. Prona jonë e barabartë me planifikim
5. Shëndet dhe mirëqenie sociale për të gjithë
6. Lagjja jonë me arsim të mirëfilltë
7. Zhvillim në çdo cep
8. Art në lagjen tonë
9. Infrastrukturë në çdo lagje
10. Ndërmarrjet publike ne shërbim të qytetarëve