Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Shpend Ahmeti përmes një postimi në Facebook ka reaguar lidhur parashikimet që janë bërë në media për mundësinë e prishjes së koalicionit, dhe qeveri të re (pa zgjedhje) me LDK dhe PSD.
Ahmeti ka shkruar se PSD-ja nuk ka pas as edhe një takim apo diskutim për këtë gjë dhe se nuk do të ndihmiojë Listën Serbe për ta rrëzuar qeverinë.
“Ne kemi dhënë dhe vazhdojmë të japim mbështetje politike për taksën dhe jemi pjesë e delegacionit shtetëror për dialogun. I kemi thënë edhe LDK-së e VV-së, se nuk do ta ndihmojmë Listën Serbe për ta rrëzuar Qeverinë për shkak të taksës. Tani i themi edhe PDK-së se me ndihmën tonë nuk do ta rrëzojnë e as kërcënojnë AAK-në – si presion ndaj Kryeministrit për ta larguar taksën”, ka shkruar Ahmeti.
Ahmeti ka thënë se PSD-ja vazhdon të mbaj qëndrimin që për taksën duhet të merret vendimi i përbashkët, ku edhe presionin edhe kritikat do t’i bartin bashkë.
“Taksa është e drejtë dhe është vendimi i parë pas të gjitha sulmeve që ka bërë Serbia ndaj nesh. Ne jemi të interesuar të dialogojmë me Serbinë sipas platformes që kemi aprovuar, por Qeveria ka të drejtë të merr vendime për ta mbrojtur interesin e shtetit tonë”, ka shkruar ai.
“Dialogu me Serbinë është çështje tejet e rëndësishme për Republikën e Kosovës, si në aktualitet ashtu edhe në potencialitet. Prandaj, vendimet për të duhet të synojnë përherë koncensualitet dhe të përfshijnë të gjithë ata që janë të interesuar ta ndihmojnë Kosovën. Protagonizmi e personalizimi i këtij procesi as nuk është i mundshëm dhe do të ishte tejet i dëmshëm”, ka shtuar Ahmeti.