Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar lidhur me mënyrën se si po zhvillohet diskursi politik në Kosovë, duke thënë se politika është kthyer në një betejë të spin-doktorëve, të cilët, sipas tij, shtrembërojnë realitetin dhe analizën publike.
Në një postim në rrjetet sociale, Ahmeti ka shpjeguar se spin-doktorët janë këshilltarë apo specialistë të marrëdhënieve me publikun që përpiqen t’i paraqesin lajmet dhe ngjarjet në dritën më të favorshme ose jo të favorshme për klientët e tyre.
“Sot lajmin e njëjtë, për shembull ligjin për autorizimet në mbrojtje të ShBA-ve, mund ta lexoni në dy kënde krejt të ndryshme, varësisht se prej cilit spin e lexoni”, ka shkruar Ahmeti.
Ai thekson se, ndonëse spin-et janë të pashmangshme në politikë, dominimi i tyre po dëmton debatin publik.
“Përderisa spinet janë të pashmangshme, dominimi i tyre e shtrembëron analizën normale dhe diskursin normal publik. Ky polarizim i ka pasojat e veta”, shtoi Ahmeti.