Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka bërë të ditur se ka udhëzuar drejtorin e shëndetësisë që të filloj procedurat e prokurimit për barnat që po i përshkruajnë punëtorët shëndetësorë për pacientët me Covid-19, raporton Gazeta Express.
Pas raportimit të Gazetës Express, se është ndërprerë analiza e D-dimerit, për shkak të mungesës së furnizimit, Ahmeti thotë se ka kërkuar edhe blerjen e testeve për këtë analizë.
Ai ka thënë se edhe pse blerja e këtyre testeve nuk është në kompetencën e tyre, kjo po ju kushton shumë pacientëve.
Njoftimi i tij i plotë:
Kam udhëzuar drejtorin e shëndetësisë që të filloj procedurat e prokzrimit të shpejtë për një numër barnash që mjekët po i përshkruajnë për Covid e që nuk janë të ofruara nga sistemi jonë shëndetësor.
Po ashtu edhe për blerjen e testeve D-Dimer që mjekët po e kërkojnë për shkak të trombeve të mundshme. Edhe pse kjo nuk është në kompetencën tonë. Megjithatë po ju kushton shumë pacientëve. Këto barna do të mbulojnë rreth 8,000 pacientë me simptome pak më të theksuara, pa paguar privatisht.
Falenderoj Kuvendin Komunal sot që me 38 vota për dhe asnjë kundër ka votuar ndihmën prej 50 eure për çdo të konfirmuar pozitiv në emër të shërbimeve shëndetësore e 100 për pensionsistë të konfirmuar pozitiv.