Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka vizituar objektin e shkollës së re në lagjen Arbëria, bashkë me nënkryetarin e Komunës Selim Pacolli, dhe drejtorin e Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë Januz Aliu.
Ahmeti tha se kjo shkollë do të quhet “Mehmet Gjevori” dhe se për emërtimin e saj është dakorduar së bashku me drejtorin e Drejtorisë së Arsimit, raporton Ekonomia Online.
“Me drejtorin jemi dakorduar që kjo shkollë të quhet “Mehmet Gjevori” dhe kjo shkollë është e arsimit të ulët , nëntë klasorë, ku do të përfshijë arsimin parafillor, fillor dhe të mesëm të ulët”, deklaroi Ahmeti.
Ahmeti tha se shkolla do të jetë e gatshme të hapet në vitin e ri shkollor me datën 1 Shtator.
“Kjo shkollë do të zvogëlojë barrën që mban shkolla “Meto Bajraktari” dhe disa nga lagjet përreth dhe tashmë ka mbetur vetëm salla e sportit që t’i shtrohet dyshemeja dhe kjo shkollë të hapet në vitin e ri shkollor, me 1 Shtator. Kjo shkollë do të ketë 17 paralele, që do t’i bartim nxënësit nga shkollat tjera” shtoi ai.
Ahmeti tha se për këtë shkollë ka pasur problem pronësor dhe ato kanë qenë arsyet për ngecjen e ndërtimit të saj.
“Kjo shkollë ka pasur probleme pronësore dhe ka pasur masë gjykate, për atë arsye ka pasur ngecje në ndërtim dhe tani e kemi zhbllokuar dhe kemi përfunduar punimet “, tha Ahmeti.
Ai, po ashtu, shtoi se të gjitha lagjet do të mbulohen me shkolla dhe do të ndërtohen edhe pesë të tjera në kryeqytet.
Drejtor i Drejtorisë së Arsimit, Januz Aliu, tha kjo shkollë do të ketë 6 mijë metra katror dhe do të ketë vetëm një ndërrim mësimor.
“Kjo shkollë ka gati 6 mijë metra katror dhe e stilit arkitektonik dhe po tentojmë ta bëjmë me një ndërrim, me kurrikulën e re”, deklaroi Januzi.
Drejtori Januzi nuk tregoi shifrën e këtyre investimeve për renovimin e shkollave në Prishtinë, mirëpo tha se ka shumë donacione që ndihmojnë në buxhet.
“Shifrën e saktë për renovime të shkollave nuk mund të dimë, mirëpo kemi investuar mjaft, janë diku rreth 40 % të investimeve dhe donacion nga Asociacioni i Komunave, si komuna më transparente, rreth 80 mijë euro”.
“Kemi mjaft donacione, po orientojmë donacione të mëdha siç është Asociacioni i Informatikës së Austrisë dhe jemi marr vesh për investim 1 milion e gjysmë për shkollën Elena Gjika, që do të bëhet Qendra e Kompetencës më e mira në Ballkan” shtoi gjithashtu ai, raporton Ekonomia Online.