Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti pas takimit me kryeministrin, Avdullah Hoti tha se kanë diskutuar për mënyrën e fillimit të vitit të ri shkollor, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, komunat veç e veç kanë paraqitur opsionet e tyre se si mund të organizohet mbajtja e mësimit.
“Qeveria sipas të gjitha gjasave ka vendosur që të jenë tri skenarë, ndërsa komunat diskutuan sipas gjendjes së tyre. Diskutuam edhe për financim shtesë prej 10 milionë euro për komunat”.
Ai ka kërkuar që të kihet kujdes me marrjen e vendimeve, ngase sipas tij Prishtina është e vetmja që bënë teste serologjike dhe nëpër çerdhe dhe do të ketë vatra të infeksioneve.
Sipas tij, nuk ka kapacitet që të testohen mësimdhënësit në këtë fazë, raporton EO.
“Nuk besoj që ka kapacitete për tu testuar mësimdhënësit. Kosova vazhdon ti ketë 450 teste në ditë, ndërsa testet serologjike janë 200 në ditë. Vetëm në Prishtinë janë 46 mijë nxënës”.
Ahmeti më tej ka shtuar se nuk u diskutua çështja e hapjes së pishinave dhe aktivitet sportive.
Madje ka thënë se si komunë nuk kanë kërkuar që puna në gastronomi të zgjatet mas orës 22:30.