Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, në asamblenë komunale ka prezantuar raportin e punës për periudhën gjashtëmujore të vitit 2016.
Kryetari Ahmeti ka elaboruar në pika të shkurtra rezultatet e arritura gjatë kësaj periudhe raportuese si dhe vështirësitë me të cilat është ballafaquar ekzekutivi i komunës.
Kreu i Komunës me theks të veçantë ka folur për trendin pozitiv të rritjes së arkëtimit të të hyrave vetanake. Po ashtu, ai ka thënë se nëse vazhdohet me këtë trend falë bashkëpunimit me qytetarë dhe menaxhimit të mirë, do të jenë të sigurt se do të tejkalohet edhe planifikimi i realizimit të të hyrave vetanake.
“Gjatë kësaj periudhe raportuese Komuna e Lipjanit ka realizuar shumë projekte të parapara në këtë gjashtë mujor, po ashtu disa prej tyre janë në fazën drejtë realizimit”, ka thënë Kryetari Ahmeti.
Ai ka cekur edhe implementimin e projekteve kapitale nëpër lokalitete dhe fshatra, duke pasur si prioritet që numri i projekteve të rritet duke aplikuar dhe synuar që Komuna e Lipjanit të merr grante të caktuara nga Qeveria, Komisioni Evropian dhe organizata të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare.
“Ky gjashtëmujor i bazuar në indikatorët matës rezulton vazhdimësinë e realizimit të synimeve për performancë pozitive. Treguesit makro janë shumë pozitiv dhe premtues dhe kjo performancë pozitive e vlerësuar edhe nga njësitë monitoruese vendore dhe ndërkombëtare, komunën tonë e renditin ndër komunat e para në shumë sfera e kjo është rezultat dhe produkt i angazhimeve konsistente, llogaridhënëse, transparente, në komunikim gjithnjë më të hapur me publikun”, është shprehur kreu i Lipjanit, Imri Ahmeti.
Ai po ashtu, ka thënë se në vazhdimësi do të përkushtohen për të qeverisur ligjshëm e ndershëm dhe për ta shndërruar administratën komunale në funksion dhe shërbim të qytetarëve, ku edhe fton të gjithë qytetarët si dhe këshilltarët komunal, që së bashku të angazhohen në tejkalimin e sfidave dhe vështirësive, në dobi të progresit të gjithanshëm të komunës.
Përveç raportit të punës së kryetarit i cili u vlerësua nga ana e këshilltarëve si një raport voluminoz dhe specifikuar mirë, po ashtu u prezantua edhe Raporti i Auditorit të Përgjithshëm.
Shaban Syla, shef i sektorit për Buxhet dhe Financa para këshilltarëve komunal thënë se ky raport paraqet një opinion shumë pozitiv për komunën, veçanërisht lidhur me pasqyrat financiare pasi që ka të bëjë me opinionin më të mirë të mundshëm (Opinion i Pamodikifuar).
Lidhur me këtë kreu i Lipjanit Imri Ahmeti, ka theksuar se falë një bashkëpunimi të mirë mes ekzekutivit dhe shërbyesve civil, e vetmja Komuna e Lipjanit nga të gjitha komunat e tjera në nivel vendi ka arritur të marrë opinion më të mirë të mundshëm nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm (Opinion i Pamodikifuar).
Ndryshe ky raport i Auditorit të Përgjithshëm nga ana e të gjithë këshilltarëve u vlerësua si një përmirësim i performancës së menaxhimit financiar gjatë vitit 2015.
Në mbledhjen e sotme këshilltarët komunal kanë aprovuar edhe Propozim Rregulloren për caktimin e tarifave për tatimin në pronë.