Drejtori teknik i Ajaxit, Marc Overmars është befasuar nga planet për tentimin e përfundimit të stinorit në ligën e Holandës dhe e ka krahasuar Federatën e Futbollit të Holandës (KNVB) dhe Konfederatën e Futbollit të Evropës (UEFA) me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, shkruan agjencia Reuters, transmeton Koha.net.
Reagimi i tij ka ardhur pasi që federata holandeze ka lëshuar një komunikatë duke thënë se do të ndjekë direktivat e UEFA-s në tentim për të përfunduar stinorin e pezulluar për shkak të shpërthimit të koronavirusit deri më 3 gusht.
“Pse duhet të jetë kjo çështje e parave dhe jo për mirëqenien e njerëzve? Unë kam shpresuar që federata holandeze do të marrë një vendim të pavarur, por ajo po fshihet prapa UEFA-s”, ka thënë Overmars për gazetën holandeze “De Telegraaf”.
UEFA të mërkurën ka diskutuar në një video-konferencë me përfaqësues të 55 federatave anëtare të saj për të shikuar për hapat e radhës, pasi pandemia ka pezulluar sportin.
KNVB ka lëshuar një deklaratë duke thënë se do të shikojë të plotësojë dëshirën e UEFA-s e do të tentojë të kompletojë stinorin, edhe nëse kjo nënkupton rinisjen të stinorit të pezulluar në mes të qershorit dhe kompletim të tij në gusht.
“Unë po e kam shumë të vështirë të kuptojë. Ne në Holandë nuk jemi të varur nga të hyrat nga të drejtat televizive si ligat në Spanjë, Angli, Itali e Gjermani. Mendoj se federata jonë është vënë në presim të madh nga UEFA për të vazhduar kampionatin me çfarëdo kosto. Unë po e krahasoj KNVB dhe UEFA-n me mendimet e presidentit amerikan Donald Trump që i kishte para një jave, kur mendoi se ekonomia e vendit është më e rëndësishme sesa koronavirusi. Por, po vdesin më tepër se 100 njerëz në ditë në Holandë, për shkak të koronavirusit”.
Overmars ka thënë se stinori në ligën e Holandës duhet të anulohet.
“Liga ka mbaruar, jeta është më e rëndësishme”, ka thënë ai.
Liga është pezulluar muajin e kaluar me Ajaxin në krye të renditjes fal goldallimit më të mirë se AZ Alkmaar, ndërsa deri në fund kanë mbetur edhe nëntë xhiro.
Ajaxi ishte kampion i stinorit të kaluar dhe arriti deri në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Ndërkohë kapitenët e klubeve të elitës së futbollit të Holandës kanë kërkuar një letër garancie nga Instituti Nacional Holandez për Shëndetin Publik dhe Ambient, se është e sigurt të luhet, pavarësisht se a do të luhen ndeshjet me tifozë apo pa ta. Madje pa këtë letër kapitenët kanë thënë se nuk do të nisin as stërvitjet në grup.