Ajaxi nuk mendon të mbrohet në shtëpi

Prishtinë | 08 Maj 2019 | 09:19 | Nga Ekonomia Online

Ajaxi do të mbështetet plotësisht në forcën sulmuese për ndeshjen e kthimit gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, të mërkurën mbrëma kundër Tottenhamit, ndonëse për të arritur në finale do t’i mjaftonte edhe një barazim.

Kështu ka deklaruar trajneri i Ajaxit, Erik ten Hag, të martën në konferencën për media.

“Ne duhet të fitojmë ndeshjen e së mërkurës, me këtë mentalitet futemi. Duhet të bazohemi në forcat tona”, ka deklaruar Ten Hag.

Ajaxi ka befasuar Real Madridin dhe Juventusin për të arritur në gjysmëfinale, me një lojë të shpejtë e ofensive. Dominoi javën e kaluar edhe ndaj Tottenhamit në fitoren 1:0 që e shënoi në Londër.

Por skuadra holandeze, në të cilën përfshihen shumë lojtarë të zhvilluar në akademinë e famshme të saj, ka pasur telashe në pjesën e dytë të ndeshjes në Londër, ndërsa Tottenhami rriti presionin.

“Mendjen e patëm të mbrohemi. Por po ashtu Tottenhami tregoi forcën. Ka treguar se do të kemi punë në ndeshjen e kthimit. Por ne jemi të bindur se mund t’ia dalim. Jemi të përgatitur fizikisht dhe jemi të uritur”, ka deklaruar Ten Hag.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme