Akademia është ashtu si Kosova

Prishtinë | 09 Gus 2019 | 21:13 | Nga Ekonomia Online

Profesor i nderuar, jetëshkrimin tënd zyrtar e gjejmë kudo në faqe të internetit, edhe në uebfaqen e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Megjithatë, një jetëshkrim letrar, më i hollësishëm, më i natyrshëm, na duhet për lexuesit e revistës veçan nga ju. Çfarë do të përzgjedhni, nga jeta dhe veprimtaria juaj shkencore, të na rrëfeni për tetë dekadat e gjysmë të jetës suaj? Po ju bëjmë me dije se duam të dimë për fëmijërinë, për adoleshencën, për maturinë, për pjekurinë, për moshën tuaj të shtyrë, edhe për ditët e zakonshme në Prishtinë.

Po, lindur jam në Kranjë që, mbi kokë, në lindje, ka malin Pelister dhe në perëndim liqenin e Prespës. Ndër kujtimet e para mbaj mend ditën kur ushtarët italianë, me barka, zbarkuan nga liqeni i Prespës, ku ishte kufiri, atëherë dhe sot, me Shqipërinë. Në pritjet të karabinierëve italianë në rrugë ishte i tërë Kranji, gra dhe bura, pleq dhe fëmijë, duke i shoqëruar udhëve me daulle e gërneta, diku edhe me lule. Ishte pranverë e hershme dhe Kranji, i cili ka shumë ujëra nga burimet e Pelisterit, dhe vijat anash ishin përplot me ujë, e që vende-vende i mbulonin edhe udhët. Ne fëmijët vraponim zbathur për t’i ndjekur nga pas mysafirët me uniforma, edhe disa pa uniforma, burra të ardhur nga Shqipëria bashkë me ta. Më kujtohen copëza fjalësh e fjalish nga ajo që thoshin mysafirët dhe që përcillej në turmë si, për shembull: “Mos ishte gjoli, para se të vinim ne në Kranjë do të vinte bullgari”. Pra, ata i paskëshin rënë trup liqenit pa shkuar rrotull dhe kishin mbërritur ta vënë kufirin me Bullgarinë përpara Kranjit. Ndërsa para këtij kujtimi, natyrisht më të zbehtë, gati si nëpër një ëndërr, më kujtohet Dita e Nevruzit, kështu i thoshte gjyshja Meleke, kështu i thoshim edhe ne. Gjyshja ishte myhype që kishte marrë dorë në teqenë bektashiane, në atë të Baba Saliut në Manastir. Dhjetë ditë para festës Nevruz vetëm gjyshja në shtëpinë tonë nuk pinte ujë. Unë flija me të, se nëna më kishte lënë gjashtëmuajsh. Gjatë ditëve të matemit babai merrte një libër që e quante Qerbela, i cili rrinte gjithnjë mbi kurrizin e një ore të madhe të varur në mur që binte si kambanë dhe na ulte të gjithë në rreth për të na lexuar luftën e imam Aliut kundër Jezitit, Mavijes. Gjyshja zakonisht qante.

Pas ca kohe në Kranjë u hap shkolla shqip. U mbush oborri i një ndërtese njëkatëshe, që kishte qenë shkollë në gjuhën serbe. Për herë të parë shihja aq shumë fëmijë në Kranjë, i cili asokohe kishte rreth katërqind shtëpi thoshin dhe që unë shumicën nuk i kisha parë asnjëherë. U lidh Kranji atëherë me Korçën meqë Prespa ishte nënprefekturë e Korçës, prej ku erdhën katër mësues nga Shqipëria. Nëpër klasa na ndanë sipas moshës dhe sipas nxënësve që deri atëherë shkonin në shkollën serbe. Në klasën e parë, ku më regjistruan edhe mua, kishim një mësuese me emrin Dhorka Qeleshi.

Kur erdhën partizanët në Kranjë, si dhe në fshatrat e tjerë të Prespës, u hapën shkollat deri në klasën e katërt. Pasi mbaruam klasën e katërt që na kishte mbetur pa e kryer nga koha e Italisë, mua më dërguan në shkollë në Manastir, ku asokohe vetëm atje kishte tetëvjeçare. Ishim një grup nxënësish nga Prespa dhe jetonim në konvikt. Vite më pas do ta mësoja se ndërtesa e konviktit paskësh qenë vendi ku ishte mbajtur Kongresi i Manastirit.

Kur erdhët nga Kranja në Prishtinë, pasi kryet studimet për albanologji në Beograd, erdhët për të mos u kthyer më në juglindje të Prespës?

Në fillim të viteve pesëdhjetë, dy vjetët e para të Normales i bëra në Tetovë. Në këtë qytet, që gjatë periudhës italiane kishte qenë qendër prefekture dhe ku gjatë atyre viteve ishte ngritur një bibliotekë e pasur, për herë të parë rashë në libra shqip. Në konviktin e Manastirit gjatë katër vjetëve mbaj mend që kisha lexuar ndonjë libër në maqedonisht, pa mu kujtuar mirë titulli i librit apo autori. Gjatë luftës dhe pas ikjes së Italisë, siç thoshin banorët e Tetovës, librat e bibliotekës kishin përfunduar në biblioteka private. Një nga vajzat e klasës sonë, tetovare me mbiemrin Malaziu (nuk më kujtohet emri), filloi të më sjellë herë pas here libra nga shtëpia, pa ndonjë rend, çfarë i binte në dorë. Atje për herë të parë e kam prekur me dorë dhe lexuar romanin e Dostojevskit “Krimi dhe dënimi”, më duket në përkthim të Tajar Zavalanit. Kështu fillova të lexoj libra çfarë më binin në dorë. Pas dy vjetëve të qëndrimit në Tetovë, Shkolla Normale, e vetmja shkollë e mesme shqip në Maqedoni, u zhvendos nga Tetova në Shkup. Në kryeqytet ishim më komodë me hapësirë, një ndërtesë e madhe me oborr, ku ishte vendosur edhe shkolla edhe konvikti, në qendër të qytetit, por nuk u familjarizuam asnjëherë me qytetin, siç ndjeheshim në Tetovë, ku qyteti na dukej si shtëpia jonë.

Nga gjysma e viteve pesëdhjetë të shekullit të kaluar e deri në fillim të dhjetëvjetëshit gjashtëdhjetë vazhdova në Beograd, banor i qytetit të studentëve. Një mjedis me rreth pesëdhjetë mijë banorë – studentë nga mbarë Jugosllavia e atëhershme. Në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, pranë Fakultetit Filozofik të Beogradit, në gjuhën shqipe na ligjëronin: profesor Vojisllav Dancetoviq dhe profesor Idriz Ajeti gjuhën shqipe, ndërsa profesor Anton Çetta letërsinë shqipe. Të gjitha lëndët e tjera i dëgjonim në gjuhën serbe, ku lënda bosht dhe kryesorja ishte Letërsia jugosllave, që dëgjohej gjashtë semestra me më shumë profesorë, dhe Teoria e letërsisë katër semestra. Katedra jonë për çdo vit kishte rreth dhjetë-pesëmbëdhjetë studentë. Kishte një bibliotekë modeste të librit shqip, kryesisht botime të “Rilindjes”. Me autorë dhe libra nga letërsia jugosllave – në program të saj ishin letërsitë e gjashtë republikave dhe ndonjë autor nga dy krahinat, biblioteka ishte e furnizuar me bollëk. Sa më kujtohet, bibliotekës në katedrën tonë asokohe i vinte revista “Nëntori” nga Tirana, në faqet e së cilës mbaj mend të kem lexuar prozë nga Shuteriqi, Ali Abdihoxha, Kim Dushi, Musaraji.

Gjatë viteve të kaluara në Beograd kohën më të madhe e kaloja me lexim të librave, sidomos lexoja veprat e klasikëve të shekullit nëntëmbëdhjetë. Frekuentoja rregullisht tribunën e njohur Kolarc, në kuadër të Universitetit të Beogradit. Aty kisha rast të përcjell takime dhe biseda, pos me shkrimtarë të njohur jugosllavë, edhe me emra të shquar ndërkombëtarë. Isha, gjithashtu, vizitor i parapaguar, me biletë vjetore për studentët, në teatrin jugosllav të dramës (Dramsko Jugoslovensko Pozoriste), në skenën e të cilit në ato vite, duke qenë ende student, filloi të shfaqet në role episodike aktori shqiptar Bekim Fehmiu.

Pas studimeve u ktheva në Shkup dhe u punësova gazetar në redaksinë e gazetës së përjavshme Flaka e Vëllazërimit, vend në të cilin gati se e mbylla decenien e viteve gjashtëdhjetë. Në këtë të përjavshme të vetme në gjuhën shqipe në Maqedoni mbaja dy faqe gazete për kulturë dhe arsim. Nga kultura përmblidhja ngjarjet në fushën e letërsisë dhe teatrit. Në Shkup gjatë atyre viteve kishte vetëm një teatër shqiptaro-turk, ku një ndërtesë dhe një skenë e ndanin dy pakicat, si emërtoheshin shqiptarët dhe turqit asokohe. Nga fundi i viteve gjashtëdhjetë doli edhe revista e parë letrare në gjuhën shqipe Jehona. Shumë rrallë botohej edhe ndonjë libër shqip, e më shpesh libra të përkthyer nga autorë jugosllavë. Në Shkup, por edhe në qytetet e tjera të Maqedonisë, qysh në atë kohë kishte ngjarje dhe manifestime letrare, si Mbrëmjet poetike strugane e shumë të tjera, të cilat redaksia jonë kishte obligim t’i përcjellë. Fillova kështu ta njoh botën kulturore, e sidomos letërsinë maqedonase. Jashtë obligimit të kësaj natyre vazhdimisht një sy e mbaja drejt Prishtinës, ku në institucionet arsimore dhe kulturore e publicistike ishin përfshirë shumica e kolegëve të mi nga koha e studimeve në Beograd. Prandaj fillova të botoj herë pas here në faqet e gazetës Rilindja në Prishtinë, sidomos shkrime për teatrin, letërsinë, por edhe për manifestimet letrare të Shkupit.

Natyrisht, ajo që më së shumti më pëlqente dhe që më shumë më tërhiqte gjatë viteve të mia të gazetarisë në Shkup ishte letërsia. Duke informuar për manifestime letrare, për libra të përuruara dhe të vlerësuara me çmime vjetore, duke bërë informimin fillestar për përmbajtjen e tyre, me kohë fillova që këtë aktivitet ta përcjell edhe me ndonjë koment, me pretendime vlerësuese, që u bë më vonë fusha në të cilën unë u përqendrova.

Në fillim të viteve të shtatëdhjeta të shekullit të kaluar u vendosa në Prishtinë. Fillimisht, në dy vjetët e para në shtëpinë botuese Rilindjabashkë me Ramiz Kelmendin, Rrahman Dedajn, Fahredin Gungën, Nazmi Rrahmanin të cilët, së bashku me shkrimtarë të tjerë, si Azem Shkreli, Anton Pashku, Ali Podrimja etj. kishin botuar librat e parë dhe kishin bërë emër. Redaksia e botimeve Rilindja, që asokohe ishte ngritur në një shtëpi të shqiptarëve nga mbarë Jugosllavia, brenda këtij aktiviteti, në gjirin e vet kishte themeluar edhe një bashkëpunim, sado të kufizuar, me redaksinë e botimeve Naim Frashëri të Tiranës. Pos një numri botimesh të gatshme që shkëmbenim, ata na dërgonin edhe vepra në dorëshkrim, ende të pabotuara atje, që ne të mënjanonim çfarë nuk shkonte dhe çfarë nuk mund ta bluante mulliri i këtushëm dhe i botonim. Po në këtë periudhë për herë të parë Rilindja filloi të botojë romane në dorëshkrim, siç ishte edhe Kështjella e Ismail Kadaresë, që e kam lexuar në dorëshkrim. Në këtë hark kohor bashkëpunimi, filloi edhe seria e veprave komplete, gjithnjë për herë të parë në hapësirën shqiptare, me opusin letrar të Petro Markos, prozën e Ali Abdihoxhës, kompletin e romaneve të Jakov Xoxës, seri ku më pas, nga gjysma e dytë e viteve shtatëdhjetë, për herë të parë do t’i botohet kompleti i veprave edhe Dritëro Agollit, Ismail Kadaresë, Eqrem Çabejit etj. Është për t’u theksuar se të gjitha këto vepra dhe autorë që i përmenda dhe botime të tjera në tregun e Kosovës gati se shiteshin brenda ditës. Ekzistonte një entuziazëm i madh tek të rinjtë, sidomos ndër studentët e Universitetit të Prishtinës. U gëzoheshin botimeve letrare, organizoheshin takime të shpeshta të shkrimtarëve në Kosovë dhe jashtë Kosovës me lexues, më rrallë edhe me shkrimtarë nga Shqipëria. Në Prishtinë, pas brezit të Esat Mekulit, Hivzi Sulejmanit, Tajar Hatipit, Zekeria Rexhës, që ishin bërë gati klasikë, ishin afirmuar edhe emra si Enver Gjerqeku, Ramiz Kelmendi, Rexhep Hoxha etj. dhe, pas tyre, brezi i autorëve të përmendur pak më sipër si Azem Shkreli, Rrahman Dedaj, Ali Podrimja, Nazmi Rrahmani, Fahredin Gunga, Din Mehmeti, Besim Bokshi, po shfaqeshin edhe më të rinjtë, si: Sabri Hamiti, Zejnullah Rrahmani, Eqrem Basha, Mehmet Kraja, Teki Dërvishi, Beqir Musliu, Musa Ramadani etj.

Interesimi juaj, prej fillimit të studimeve e deri më sot për filologji, në bazë të biografisë dhe bibliografisë suaj, ka qenë kritika për letërsinë, studimet për të. Meqë keni hartuar edhe tekste shkollore dhe antologji, i njihni edhe temat e vogla dhe të mëdha, të rëndësishmet dhe të parëndësishmet e letërsisë shqipe, natyrisht edhe shkrimtarët. Mund të na thoni pse u bë i njohur në botë Kadareja e jo, ta zëmë, Petro Marko, për jetën dhe veprimtarinë e të cilit keni doktoruar?

Ju përmendët, pak edhe komentuat autorët Ismail Kadare dhe Petro Marko. Janë dhe nuk janë të ngjashëm, përpos që të dy të talentuar por, të ndryshëm. Petro Marko lindur në Dhërmi të Himarës më 1914 – poet, tregimtar, gazetar i rebeluar që në vitet tridhjetë në Tiranë. Luftëtar në Spanjë në pjesën e dytë të viteve tridhjetë, betejash dhe kalvaresh të ndryshme luftarake nëpër Evropën antifashiste. Ai u ballafaqua që në moshë të re me sfida jetësore për jetë a vdekje. Pas luftës, në Tiranën e çliruar, ai do të refuzojë komoditete personale (refuzon shtëpinë e një të deklasuari, nga e cila nxirret përjashta pronari), refuzon bashkëpunimin poshtërues mes gazetës shqiptare Bashkimi dhe gazetës beogradase Borba, mbetet rebel në thelb edhe përballë pushtetit të ri komunist. Pajisur me një talent me ngasje rezistuese ndaj deformiteteve, të kujtdoqofshin dhe të kurdoqofshin, që ai do ta bëjë këtë me sjellje dhe veprime të përditshme, po edhe si krijues, sa herë gjente pak hapësirë, pa ëndërruar vendin në panteonin e krijuesve. Thjesht, ishte mënyrë e jetës, natyrë e lindur e tij, që e manifestoi që në hapat e parë këtë synim, këtë filozofi jetësore si njeri dhe si shkrimtar.

Për nga niveli artistik, për bindjen dhe shijen time, veprat e këtyre dy shkrimtarëve dallojnë shumë pak. Megjithatë, na thoni, si u bë që Petroja mbeti shkrimtar i shqiptarëve dhe i pak të tjerëve e Kadareja i dyzet kombësive?

Ismail Kadareja, lindur në Gjirokastër më 1936, luftën që zumë ngoje më sipër e jetoi si fëmijë. Shkollohet në epokën dhe rendin socialist, në komunizëm. Talent gjenial, mendimtar, ai e kupton në thelb objektivin e programuar ideor të kohës dhe me kohë krijon sistemin mbrojtës fizik dhe krijues. Natyrshëm do ta projektojë universin e vet letrar duke hapur krahët kohorë drejt rrënjëve të etnisë ndër shekuj, shtresimeve perandorake mbi hapësirën arbërore, epoka kohore këto që do të komunikojnë nën tokë mes vete përmes gjuhës së koduar dhe do t’ia dalë që t’i ofrojë lexuesit shqiptar, edhe në kushte diktature, dalje imagjinate nga izolimi me veprën romanore gjeniale.

Petro Marko thjesht abuzoi me talentin e vet, duke e konsideruar atë dhuratë që duhet përdorur si armë të ditës, pa ëndërruar amshimin. Mund të thuhet se në këtë vijë mund të jetë e përngjashme afërsisht ajo e Dritëro Agollit, gjithashtu me talent të madh, që ia doli edhe nën darët shtrënguese të sistemit të japë një kryevepër si Shkëlqimi dhe rënia e Shokut Zylo, që është sfida më e madhe e asaj periudhë letrare shqiptare që i bëhej aktualitetit, por edhe me ndonjë dramë si dhe me romanin Arka e Djallit dhe disa tregime.

Me shqiptarët e Shqipërisë, që qëllimisht po shprehem kështu, kemi një komb, kemi një gjuhë, një zemër dhe një shqiponjë të përbashkët e çka jo tjetër, po bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ndërakademik nuk e kemi kurrqysh. Ministritë e Kulturës hartojnë kalendar të aktiviteteve kulturore, po ditët kalojnë para tyre pa u vënë re dhe bërë gjë për kulturën. Bashkëpunim edhe më të keq kanë Ministritë e Arsimit. As Akademitë bashkëpunim më të mirë nuk kanë. Pse?

Mund të thuhet se vitet shtatëdhjetë janë vitet e një zhvillimi shpërthyes në të gjitha fushat në Kosovë. Ajo edhe pse nuk e kishte siglën e republikës brenda ish-Jugosllavisë, i kishte pothuajse tërë nishanet e saj. Ishte dhjetëvjetëshi kur përjetoi një hov të paparë arsimor, kulturor dhe shkencor. E përfshirë nga një entuziazëm shpërthyes, nga një zgjim i brendshëm që mëtonte ta zërë ritmin e humbur në kohë, Prishtina u bë qendër arsimore dhe kulturore për mbarë shqiptarët në Jugosllavi. Universiteti i saj po radhitej pa u skuqur brenda dymbëdhjetë të tillëve në hapësirën e atëhershme jugosllave. Rektorë të rangut si Gazmend Zajmi me shokë, edhe kur e kishin radhën sipas rotacionit të atëhershëm, të udhëheqin bashkimin e universiteteve jugosllave (një organizim i tillë i atëhershëm), shfaqeshin të barabartë, por shpesh edhe superiorë. Njësoj, sipas të njëjtit rotacion, edhe në Lidhjen e Shkrimtarëve të Jugosllavisë, kur ajo udhëhiqej nga poeti Azem Shkreli, që si krijues dhe intelektual qëndronte midis majave, shkëlqente gjithashtu. Në këtë kontakt dhe hapësirë kohore ndodhi edhe bashkëpunimi arsimor dhe kulturor në mes të Prishtinës dhe Tiranës. Në fakt, ishin dy porta të hapura: mes dy universiteteve dhe dy shoqatave të shkrimtarëve, asaj të Kosovës dhe të Shqipërisë. Nën këtë ombrellë bashkëpunimi u përfshi një numër i madh profesorësh nga Universiteti i Tiranës, me leksione gati të rregullta, sidomos në fakultetet me mungesë kuadrosh nga fusha e shkencave ekzakte dhe mjekësore, por edhe në albanologji. Kishte shkëmbim institucionesh albanologjike, historike, shkëmbim shfaqjesh teatrore, ansamble dhe koncerte muzikore, shoqata folklorike etj.

Ju po më pyetni pse nuk mund t’i heqim barrierat e bashkëpunimit të paktën në këto fusha sot. Është pyetje para së cilës njeriu i ngre supet. Të shkon mendja nganjëherë të thuash mbase pse nuk na rri mbi kokë një shpatë që kërcënon dhe ta ndërpret çdo bashkëpunim të mundshëm sa herë të dojë dhe sa herë t’i teket. Mbase mos jemi natyrë që kur na lihet vetvetja në dorën tonë, jemi shpërdorues të lirisë, të vetvetes. Ju po thoni se një bashkëpunim i tillë i mungon edhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovë me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Kjo qëndron pjesërisht. Në mes të dy Akademive për çdo vit nënshkruhet një protokoll bashkëpunimi i dyanshëm dhe gjatë çdo viti mbahen dy deri në tri konferenca, tryeza të përbashkëta. Po ashtu, ekzistojnë marrëdhënie të mira pune ndërpersonale. Mungojnë projektet afatgjata që nuk mund të ndodhin pa përkrahjen e nevojshme nga shoqëria, kur është fjala për këto nivele bashkëpunimi.

Jeni anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës që, së paku, njëzet vjet. Ç’bëhet aty, profesor?

Po më pyetni ç’bëjmë ne në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Që në fillim dua t’ju them fare shkurtimisht që bëjmë edhe ne ca punë të mira. Anash perceptimit që për këtë institucion përpiqen të krijojnë individë të cilët e kanë brengë konstante AShAK-un. Por, megjithatë, dëshiroj një ndërhyrje, ose thënë ndryshe një digresion. Si mund të jetë një institucion nga fusha e kulturës, e shkencës, e arsimit, një universitet, një institut, një shkollë, ose në këtë rast një akademi ndryshe nga ç’është Prishtina, Kosova. Nëse shumë çfarë nuk është në rregull shikuar nga kjo perspektivë, nga ky realitet, s’mund të ketë përjashtime të izoluara. Si mund të jetë në rregull një institucion, i cilësdo fushe qoftë, kur brenda realitetit tonë të gjitha të mirat e vendit gati se janë bërë plaçkë publike e përditshme nga të zgjedhurit e popullit. Në një realitet ku qyteti ku jetojmë, kryeqyteti ynë, është katandisur në një vend plehrash, me lagje dhe rrugë ku herë njëra e herë tjetra gropohen e baltosen herë për nevoja kanalizimi e herë për drita e herë për ujë, për të qenë sa më të shpeshtë tenderët. Që ato bllokohen ua bëjnë zi përditshmërinë qytetarëve, duket fare normale dhe me të cilën të gjithë mësohen. Dhe ky AShAK-u, të paktën, s’ka lejuar të kontaminohet nga kjo ndotje.

Vitin e kaluar AShAK-u botoi “Fjalorin enciklopedik të Kosovës”. Kushtoi shumë, u shkrua dhe u fol shumë për të, për të metat e tij. Nuk shkruan keq për të vetëm të pakënaqurit e të papërfshirët në zëra, po edhe ata që u angazhuan për hartimin e tij dhe ata që zënë vend aty. Po mos të ishit anëtar i AShAK-ut e po mos ta përgatisnin kolegët e tu atë fjalor, çfarë do të shkruanit për të?

Po, Fjalori Enciklopedik është një vepër e rëndësishme kulturore, është ngjarje kulturore, projekti më i rëndësishëm dhe më i mirë i saj deri më sot, i asaj dhe i Kosovës në fushën kulturore dhe shkencore. Natyrisht që Fjalori Enciklopedik ka lëshime. Brenda gjashtë mijë zërave, sa përfshihen në të, mund të ketë, mbase, edhe me dhjeta që nuk e kanë vendin, ose me dhjeta që mungojnë. Në përzgjedhjen dhe hartimin e tyre është përfshirë një numër i madh bashkëpunëtorësh të fushave që vijnë nga jashtë. Shumica dërrmuese e teksteve, nga të angazhuarit për zërat në fjalë, janë rishkruar nga anëtarët e redaksisë qendrore dhe sidomos nga kryeredaktori. Është projekti i parë enciklopedik në Kosovë që në fushën e kësaj shkence na ka munguar… Por më lejoni edhe një vëmendje lidhur me AShAK-un. Duket se kjo Akademia jonë, e përzgjedhur edhe si portë hyrëse e revistës suaj, e paska të thënë të jetë e pranishme shpesh, nëse jo në çdo numër… Parafolësi im në përgjigjen tuaj ishte më zeusian, më bubullues: thirri në ndihmë fjalorin për t’i gjetur fjalët më vulgare për të na e bërë portretin… Të jetë përçartje përçudnuese poeti dhe prozatori, le të themi i mirë, siç thoni ju… Po kolegët e tij, që nga fillimi: Mekuli, Pashku, Bokshi, Podrimja, Hamiti, Basha, Rrahmani, Kraja, meritojnë t’ua hedhë gjithë atë vrer? Shihu në pasqyrë, do t’i thosha, kur je esëll, po munde: mos do të dukeshe pak larg të qenit pranë tyre?

Profesor, AShAK-un do ta bënit më të mirë po qe se, vazhdimisht, problemet e brendshme të saj do t’i nxirrnit jashtë. Janë diskutimet ato që nuk i lënë njerëzit të gabojnë. Dhe, meqë jeni edhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (AShAM), ajo jo pak herë ka botuar tekste me mllef dhe urrejtje ndaj shqiptarëve. Kur e pati botuar enciklopedinë, në 2009-n, përplot me urrejtje për shqiptarët, patët deklaruar dorëheqjen nga anëtari i nderit të saj sepse në atë enciklopedi ishte edhe emri juaj. Por, dorëheqje nuk dhatë. Pse? Dhe, si i keni raportet e bashkëpunimit sot me AShAM-in?

Po, kam deklaruar atyre ditëve, kur ngjau skandali në enciklopedinë e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, se do të jap dorëheqje nga të qenit anëtar i jashtëm i këtij institucioni. Por pas debatesh dhe përplasjesh të ashpra dhe të pakompromis, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Maqedonisë e tërhoqi nga tregu enciklopedinë e kritikuar. Dhe si hap të dytë ky institucion botoi të përkthyer në maqedonisht “Historinë e Popullit Shqiptar” nga historiani Kristo Frashëri që është, mbase, historia më komplete (e kësaj natyre) që kemi. Vuri në projekt, gjithashtu, hapjen e një bërthame për shkencat albanologjike brenda Akademisë. Po pas kësaj ngjarjeje, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, asokohe Vllado Kambovskinë, vizitën që i bëri AShAK-ut, në bisedë para gazetarëve kërkoi edhe falje publike, duke thënë se pikërisht duhet të jemi më afër, të bashkëpunojmë, ta njohim njëri-tjetrin, që të mos gabojmë.

Jetoni në kryeqytetin e Kosovës, në të cilin, më shumë se në cilindo qytet të saj, promovohet disi kultura dhe, po ashtu, disi arsimi dhe shkenca. Si ju duket veprimtaria kulturore, arsimore dhe shkencore që zhvillohet përreth jush, në seminare ndërkombëtare që organizojnë fakultetet, në konferenca shkencore të instituteve dhe të akademive?

A bën jetë kulturore Prishtina? Natyrisht se po. Kultura është kuptim i gjerë. Edhe të jetuarit bashkë, të mësosh të jetosh bashkë në një qytet, lagje, rrugë, pallat, është kulturë. Në botë ka nivele të ndryshme kulturore. Në rrugë, në shesh, në pallat, në kafene, në autobus, dhe kudo përbëjnë faqen kulturore të qytetit. Dhe, shikuar kështu, nga të gjitha aspektet kemi atë shkallë të jetës kulture që bëjmë. Në këtë shkallë kulturore e bëjmë jetën kulturore institucionale: teatrin, filmin, letërsinë, koncertet, sallat muzikore, stadiumet, sportin, shkollat. Në këtë shkallë institucionale kemi akademi dhe institute kulture, të arsimit, të shkencës etj. Dhe i kemi të tilla çfarë i kemi krijuar dhe i meritojmë. Por, ju veçanërisht po më flisni për jetën letrare, për atë fushë ku bëjmë pjesë bashkërisht, unë si individ dhe ju si revistë letrare dhe si themelues dhe përgjegjës i saj. Në Prishtinë e në Kosovë tanimë ka një traditë letrare: vetëm që nga Lufta e Dytë e këtej ajo po afron të përmbyllë një shekull të tillë. Gjatë këtij harku kohor, ajo, letërsia pra, ka mbërritur majat e letërsisë kombëtare me emrat si: Azem Shkreli, Ali Podrimja, Anton Pashku, të përmend pra vetëm disa nga ata që s’janë mes nesh. Të përmend disa edhe nga emrat e brezit që pasuan pas tyre, si: Eqrem Basha, Sabri Hamiti, Mehmet Kraja, Zejnullah Rrahmani etj., dhe brezi që i pason me emrat Basri Çapriqi, Milazim Krasniqi, Ibrahim Berisha, Abdullah Konushevci, Lindita Tahiri, Fatmir Sulejmani, Shaip Beqiri… etj. Por, le të afrohemi edhe me emrat si Kujtim Shala, Nysret Krasniqi, Agron Gashi, Gëzim Aliu, Muhamet Hamiti, Lindita Ahmeti, Salajdin Saliu, Kujtim Rrahmani, Ballsor Hoxha, Albatros Rexhaj, Arta Arifi, Ag Apolloni, Albana Mehmetaj, Azem Deliu… Breza që kapen pas njëri-tjetrit dhe e ruajnë ritmin e vazhdimësisë mes vete, natyrisht me ngritje dhe rënie. Për bindjen time, letërsia shqipe në Kosovë, sidomos ajo e njëzet vjetëve të fundit, pos prurjeve të autorëve të njohur të paraçlirimit, pra të shekullit të njëzetenjë, është në fazë kërkimi. Si letërsi shqiptare në përgjithësi, edhe tridhjetë vjet pas daljes nga diktatura, trualli ynë letrar është në pritje të një vepre përmasash totale për atë epokë.

Disa prej autorëve që i përmendet, prej këtyre të fundit, s’ma mbushin mendjen që dinë të shkruajnë as letërsi, as kritikë letrare. I paskemi shijet e ndryshme, profesor. Dhe, shyqyr! Meqë është punë e shijes sonë, s’po e gërgasim më shumë krijimtarinë e tyre. Por, t’ju pyes diçka tjetër tash. Edhe pse nuk e bëni më punën e redaktorit të redaksive letrare, zhvillimet e letërsisë shqipe i përcillni. Çfarë po krijohet sot më shumë dhe çfarë do të duhej të krijohej?

Në tërësinë letrare të shqipes brezi që shkeli për herë të parë në fushën e letërsisë gjatë tridhjetë vjetëve të fundit, ende me përballjen e vërshimit të veprave dhe autorëve të përkthyer dhe autoktonë, nuk po arrin dot balancë. Vrapi pas trendëve dhe modave, i autorëve dhe lexuesit, është dëshmi i asaj që thashë për një fazë kërkimi. Edhe në Kosovë ka ndonjë shpërthim zëri individual, me temë nga e kaluara dramatike, që kryesisht vjen edhe si një shtysë nga mëtimi për të bërë emër me çdo kusht dhe shpejt; shpesh edhe me klithje, abuzime për ta tërhequr vëmendjen, si një model i pushtetarëve që brenda natës të bëhen milionerë. Edhe në kohën e të qenit nën administrimin jugosllav serb, brenda një autonomie gjysmë të varur, gjysmë të pavarur gjatë viteve shtatëdhjetë-tetëdhjetë e këtej në Kosovë, edhe nën diktaturën komuniste të egër në Shqipëri, funksionoi një bashkëpunim kulturor dhe arsimor këndej dhe andej kufirit. Ashtu siç e përmenda edhe më sipër, ai bashkëpunim ishte i kontrolluar, i programuar dozash rreptësisht të kufizuara, por brenda asaj pak hapësire ai funksionoi. Ishte i kufizuar dhe programuar paraprakisht numri i botimeve brenda një viti të caktuar, këndej dhe andej, me kusht që këtu në Kosovë vepra të mos kishte probleme ideologjike. Kurse autorët dhe veprat nga Kosova që botoheshin në Tiranë kalonin nëpër redaktime rigoroze, duke përzgjedhur – sipas ideologjisë të atëhershme në Tiranë, që të mos depërtojë ndonjë ndikim modernist dhe dekadent i Perëndimit. Prandaj vjen një si nevojë në fund të një bisede të tillë, të pyesim se ku treti dhe si u zhduk ai entuziazëm dhe vullnet i viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar që i dha vullnet dhe krahë të paparë ambientit vetëm nga një derëz e vogël komunikimi mes Shqipërisë nën një diktaturë të egër dhe Kosovës gjysmë të robëruar. Dhe ky zvetënim në fushën e letërsisë nuk ka si të mos vërehet edhe në një pjesë dërrmuese të prurjeve më të reja të kulturës, artit, shkencës, arsimit shqiptar sot.

Cila periudhë e letërsisë shqipe, cilët shkrimtarë dhe cilat vepra ju kanë lënë mbresa më të mëdha?

Periudha letrare shqiptare mes dy luftërave botërore më është dukur më e veçanta. Për disa arsye: konsolidimi i shtetit shqiptar që, gjatë luftërave ballkanike dhe asaj botërore ishte dhe ende nuk ishte në këmbë të veta, filloi të funksionojë si i tillë brenda viteve ’20-’30 të shekullit njëzet. Brenda këtij harku kohor, duke u artikuluar si letërsi shqipe brenda shtetit shqiptar, që në hapat e parë shpërtheu si një vlim i akumuluar ndër shekuj. Duke pasur një shekull letrar mbështetje, krijuar qendrave evropiane dhe përtej, këta dy dhjetëvjetësh sikur shpejtonin të thonë tërë të pathënën e botës shpirtërore të kombit. Brenda aq pak hapësire kohore Shqipëria u shndërrua në një kopsht dhe punëtori letrare, shkollash e trendësh krijuese artistike të botës… Dhe, më e rëndësishmja, talente të rinj, emra që shfaqen brenda ditës si të artikuluar së brendshmi, si të gatshëm për të bërë hapa befasues, duke i dhënë përditshmërisë letrare laramani dhe ritëm të paparë as në historinë e pastajme të letërsisë shqipe. Më e çuditshmja ndërsa, më fatalja mbase për të, për letërsinë, ajo u këput në pikun e këtij premtimi të madh… (është metaforë përmbyllëse e kësaj periudhe, mendimi i Kadaresë që, në studimin e tij për Migjenin thotë: “Uragani i ndërprerë”).

Letërsia e huaj po vjen në gjuhën shqipe shpejt, kryesisht nga botuesit e Shqipërisë, ndërkaq letërsia shqipe po depërton jashtë shumë pak. Është letërsi e varfër tematikisht dhe stilistikisht, apo çfarë po ndodh? Mund të na përmendi shkaqet?

Me ritëm të ngjashëm eci letërsia shqipe në Kosovë gjatë dhjetëvjetëshit shtatëdhjetë-tetëdhjetë të shekullit të kaluar. Shtysa e saj e brendshme, sipas meje, ishte ndjeshmëria për rrezikun që i kanosej etnisë, qenies kombëtare, Kosovës shqiptare nga ripushtimi serb pas Luftës së Dytë. Besimi, entuziazmi i viteve të para pas çlirimit, se më në fund edhe shqiptarët në atë Jugosllavi do të jenë të lirë, të barabartë me të tjerët, filloi të shuhet që nga fundi i viteve pesëdhjetë… Brezi i shkrimtarëve të dytë, që erdh furishëm si talent dhe i formuar intelektualisht – Azem Shkreli, Bokshi, Pashku, Gunga, N. Rrahmani, Gajtani, D. Mehmeti, dhe menjëherë pas tyre Podrimja, S. Hamiti, Z. Rrahmani… tërë fuqinë krijuese të veçantë e përqendruan brenda këtij rreziku të kapshëm, të pranishëm… (Sillni ndërmend shpërnguljet me dhunë të qindra mijë shqiptarë, aksionin famëkeq të mbledhjes së armëve gjatë viteve pesëdhjetë, masakrën e një mijë të rinjve kosovarë në Tivar para kësaj, e plot akte të dhunës tragjike që synonin zhbërjen e Kosovës shqiptare…) Dhe lindi një letërsi e tërë e rezistencës, edhe në kushtet e terrorit dhe censurës së rreptë policore. Në fillim, në poezi, si ndjesi e nevojë për të kërkuar rrënjët e lashta të etnisë, kullën, trungun e natyrshëm në gjuhën ezopike për të qëndruar, për të krijuar vetëbesim në mundësitë e kundërvënies, rezistencës… Duke qenë brez me talent të shquar, e universalizoi vizionin e rezistencës drejt lirisë, krijoi art që sot e tërë ditën qëndron në majat e letërsisë sonë kombëtare… Krahas kësaj letërsie dhe figurshmërisë përkryese të saj, në rininë shqiptare të atyre viteve, sidomos në gjirin studentor të Universitetit të Prishtinës, po me atë ritëm pjekurie u formua lexuesi që komunikonte me gjuhën, me poetikën e kësaj letërsie… Ishte elita letrare e asaj kohe që e para e ndjeu rrezikun e qenies, të etnisë dhe gati se e nxori jashtë vëmendjes refleksin social, shoqëror, intim, erotik të poezisë, në favor të këtij rreziku, në funksion të rezistencës… Prandaj, nga lexuesi i kohës elita letrare u pranua si misionare që i prin rezistencës, misionare drejt një vizioni dhe vetëdijeje të formuar, prandaj mbetet një nga periudhat tona letrare në Kosovë, ngjashëm me atë të viteve tridhjetë që shpërtheu si uragan në Shqipëri e që, më pas, aktualisht, sikur nuk arrijnë të artikulojnë zë aq të fuqishëm përballë kërcënimit të rreziqeve të tjerë, jo më pak kërcënues.

Sigurisht ende i ruani në celular ose në notes numrat e celularëve të miqve që tashmë kanë ndërruar jetë. Kush prej tyre ju mungon më së shumti?

Vazhdoj t’i ruaj numrat telefonikë të miqve tani të ndjerë, Fatos Arapit dhe të Dritëro Agollit.

Intervistoi: Berat Armagedoni

Fotografinë e autorit: Besnik Hamiti

(Marrë nga numri i gjashtë i revistës “Akademia”)

Të ngjashme