Shfaqja “PRISHTINA. Vrasja e paralajmëruar e një ëndrre”, produksion i Qendrës Multimedia, do të prezantohet më 28 maj 2026 në kuadër të Dramatiker:innenfestival, që zhvillohet në Graz, Austri nga 26 deri më 31 maj 2026.
Drama është shkruar nga Jeton Neziraj, me regji të Blerta Neziraj, ndërsa në role luajnë: Adrian Morina, Shpëtim Selmani, Kushtrim Qerimi, Verona Koxha dhe Afrim Muçaj.
Dramatiker:innenfestival në Graz të Austrisë është një festival ndërkombëtar i dramaturgjisë bashkëkohore dhe teatrit eksperimental, që mbledh autorë dhe trupa nga vende të ndryshme. Ai prezanton shfaqje të reja, lexime dhe formate artistike inovative, duke u konsideruar një platformë e rëndësishme evropiane për teatrin bashkëkohor.
Në këtë festival, shfaqja “Prishtina…” është pjesë e programit ndërkombëtar të teatrit që trajton tema të qytetit, kujtesës dhe marrëdhënies së njeriut me hapësirën urbane. Shfaqja fokusohet në rrëfimin për arkitektin Rexhep Luci dhe transformimin e Prishtinës pas luftës.
Shfaqja krijon një hapësirë reflektimi mbi rëndësinë e arkitekturës, planifikimit urban dhe trashëgimisë kulturore në zhvillimin e qytetit të Prishtinës. Ajo sjell një qasje bashkëkohore, duke u ndërlidhur me realitetin në Kosovë dhe më gjerë, ku ndërtimet pa leje po i bëjnë hapësirat urbane gjithnjë e më të ngjeshura dhe më pak të jetueshme.
Përmes kësaj perspektive, shfaqja fiton një dimension universal, duke ftuar publikun të rishqyrtojë marrëdhënien dhe përgjegjësinë kolektive ndaj qytetit ku jetojmë dhe mënyrës se si ai zhvillohet.
Drama “Prishtina: Vrasja e paralajmëruar e një ëndrre” ka marrë vlerësime të ndryshme në shtypin ndërkombëtar, ajo është shfaqur me shumë sukses në Kosovë dhe jashtë saj. “Prishtina: Vrasja e paralajmëruar e një ëndrre’ nuk është një rishkrim, por një dëshmi e thellë teatrore — një rrëfim, një akuzë dhe ndoshta një përpjekje për shpagim” Kosovo2.0, International.
Shfaqja është pjesë e projektit “Future Narratives for Planet Earth”, të mbështetur nga Bashkimi Evropian përmes programit Evropa Kreative. Partnerë të projektit janë: UniT Graz (Austri), Het Nieuwstedeljik (Belgjikë), Theatre Bellevue (Holandë), CESIE ETS (Itali), Hessisches Landestheater Marburg GmbH (Gjermani) dhe MHTConsult (Danimarkë)./