Akademiku i njohur shqiptar Rexhep Qosja sot feston datëlindjen e 87-të. Ai ka lindur më 25 qershor 1936.
Qosja është autor i mbi tridhjetë librave me studime për letërsinë dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane dhe drama, publicistikë e shkrime polemike. Ka botuar recensione, vështrime, artikuj, sprova, trajtesa e studime në revista shkencore e letrare, duke trajtuar në to çështje të veçanta të letërsisë shqipe dhe të krijimtarisë letrare në përgjithësi. Disa punime dhe vepra të tij janë përkthyer në gjuhë të tjera.
Dhjetëvjeçarin para luftës në Kosovë mori emër si figurë e realitetit kombëtar shqiptar. Politikisht organizoi Forumin Demokratik të Intelektualëve Shqiptarë si kundërpeshë ndaj LDK-së së Ibrahim Rugovës, më 1998 shkoi edhe më tej, duke e themeluar Lëvizjen Demokratike të Bashkuar (LDB). Në këtë cilësi mori pjesë në bisedimet në Rambouillet në shkurtin e vitit 1999 si anëtar i delegacionit shqiptar. Pas luftës Qosja mori pjesë në Këshillin Administrativ Interim vendosur më 15 dhjetor 1999. Pas një viti, më 16 dhjetor, dha dorëheqjen nga kryetarësia e LDB-së pas rezultateve të dobëta në zgjedhjet e 28 tetorit të atij viti.