Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, priti sot në takim ambasadoren e Maqedonisë së Veriut, Shpresa Jusufi, me ç’rast temë diskutimi ishte rritja e bashkëpunimit ndërmjet bizneseve të dy shteteve, e në veçanti të prodhuesve të të dyja vendeve.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, e informoi ambasadoren për punën dhe aktivitetet 20-vjeçare të AKB-së, e në veçanti për Projektin tradicional mbarëkombëtar “Javët e Biznesit Kosovar” me moton “Unë konsumoj produkte vendore, Po Ju?”. Ky aktivitet, për shkak të masave të pandemisë, këtë vit nuk po realizohet jashtë kufijve të Kosovës, por aktivitetet e parapara po realizohen edhe në këtë formë me qëllim të informimit të trendi të rritjes të Prodhimeve Made in Kosova, por edhe sfidat që po ballafaqohen bizneset anembanë Ballkanit Perëndimor.
“Maqedonia po na bënë xhelozë me grabitjen e investitorëve të huaj nga Kosova, siç ishte rasti i fundit i ikjes së investitorit francez të Energjisë Solare nga Vushtrria, me të cilën Kosova humbi disa qindra miliona euro të investitorëve francezë dhe të huaj, duke dëmtuar rëndë imazhin e Kosovës dhe duke ngrit këtë imazh shtetit maqedonas se atje Qeveria është më e vëmendshme për tërheqjen e këtij investitori nga Kosova”, ka thënë Shahini.
Ambasadorja znj.Shpresa Jusufi falënderoi AKB për pritjen dhe njoftimin e punës shumëvjeçare ne promovimin e ekonomisë kosovare dhe asaj mbare shqiptare duke kaluar kufijtë ballkanik dhe evropian me qëllim të informimit të shteteve, bizneseve dhe konsumatorëve për mundësit që ofron Kosova dhe prodhuesit vendor.
Ambasadorja Jusufi tha se vizita e sotme e ka një karakter bashkëpunues por edhe e veçoj se sot i mbushi një vit shërbim në Kosovë dhe këtë kënaqësi dhe përgjegjësi po e ndaj me Ju me qëllim që vitin e dytë ta festojmë me përfundim të Pandemisë dhe rritjes së shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve tona si mundësi e kësaj është infrastruktura rrugore e avancuar sidomos nga ana e Kosovës dhe lidhjet tradicionale biznesor të dy vendeve tona.
Të dy palët u dakorduan që të kemi takime të rregullta në mes bizneseve prodhuese, përpunuese, tregtare dhe shërbyese duke i shtuar vlerë ekonomisë të dy vendeve.