Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka vlerësuar se Kosova ka nevojë urgjente për institucione funksionale, stabilitet politik dhe partneritet të qëndrueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, duke theksuar se këto janë parakushte për zhvillim ekonomik, investime dhe integrim evropian.
Këto qëndrime u shprehën në një takim të mbajtur në Prizren nga kryetari dhe bashkëthemeluesi i AKB-së, Agim Shahini, me bashkëthemeluesit e organizatës, ku u diskutuan zhvillimet socio-ekonomike dhe politike në vend, si dhe ndikimi i trendeve globale në ekonominë dhe sigurinë e Kosovës.
Në takim morën pjesë bashkëthemeluesit Përparim Hoxha, Nexhat Hasani, Shpend Kallaba, Mustafë Neziri, Shemsi Dresha dhe Fadil Maxhuni.
Sipas komunikatës, pjesëmarrësit u pajtuan se mungesa e institucioneve stabile ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe klimën e investimeve.
“Pa institucione stabile, funksionale dhe me legjitimitet të plotë nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, investime serioze, siguri juridike për bizneset dhe avancim të proceseve integruese drejt Bashkimit Evropian. Zvarritja e krijimit të institucioneve dëmton besimin e investitorëve, ngadalëson reformat dhe pengon realizimin e potencialit ekonomik të vendit.”
Në komunikatë u theksua gjithashtu rëndësia e partneritetit me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian.
“Kosova ka arritur sukseset e saj falë sakrificës së qytetarëve dhe mbështetjes së vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë, në veçanti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si aleati strategjik i Kosovës, si dhe të Bashkimit Evropian dhe vendeve mike, të cilët kanë qenë dhe mbeten mbështetës të shtetndërtimit, demokracisë dhe zhvillimit ekonomik të vendit.”
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, tha se bizneset kanë nevojë për siguri institucionale dhe juridike.
“Biznesi ka nevojë për stabilitet institucional, siguri juridike dhe vendimmarrje të shpejtë. Pa institucione funksionale nuk ka ekonomi të fortë, nuk ka investime të reja dhe nuk mund të ecim me ritmin që kërkon integrimi evropian. Kosova duhet të ruajë dhe të forcojë partneritetin strategjik me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, sepse ky partneritet mbetet garancia më e madhe për zhvillimin ekonomik, demokracinë, sigurinë dhe të ardhmen euroatlantike të vendit.”
Bashkëthemeluesit e AKB-së shprehën gatishmërinë për të kontribuar me ekspertizën e tyre në funksion të zhvillimit ekonomik, ndërsa u bënë thirrje forcave politike që të tejkalojnë dallimet dhe të mundësojnë krijimin e institucioneve të reja.
“Aleanca Kosovare e Bizneseve u bën thirrje të gjitha forcave politike që, përtej dallimeve partiake, të veprojnë me përgjegjësi për krijimin sa më të shpejtë të institucioneve funksionale, në interes të qytetarëve, ekonomisë dhe të ardhmes evropiane të Republikës së Kosovës.”
AKB theksoi se do të vazhdojë të jetë zëri i komunitetit të biznesit dhe të kontribuojë në hartimin e politikave që nxisin zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, mirëqenie qytetare dhe integrim në familjen evropiane.