Aleanca Kosovare e Biznesit (AKB), ka mirëpritur, vendimin e Qeverisë së Kosovës, për masat fiskale, që mundësojnë lehtësimin e tregut të prodhimit në Kosovë.
Agim Shahini, kryetar i AKB-së, tha se vlerëson lartë masat fiskale që mundësojnë lehtësimin e tregut të prodhimit në Kosovë, pasi që sipas tij, ka qenë premtuar që nga viti 2014.
“ Më herët, ka munguar një guxim i qeverisë që të marr këso hapash që barazon fuqinë e prodhuesit në Kosovë. AKB, përshëndet Ministrinë e Financave dhe ministrin Hamza që pas 10 dite kemi paraqitur kërkesat për shqyrtim dhe ata morën vendimin e duhur dhe të shpejt por me një vonesë për disa biznese që janë detyruar të ikin nga Kosova”, tha Shahini.
Shahini ka ftuar bizneset prodhuese që nga 1 janari i 2018, të fuqizojnë mekanizmat e vet që Kosova të mbulohet me prodhim 100 për qind shqip.
“Reformat e politikës fiskale duhet të vazhdojnë. Pika tjetër është vendimi i Qeverisë Haradinaj për faljen e borxheve prej 59 milion euro për kompanitë për ambalazhet me ujë sepse vendet regjionale nuk paguajnë këso taksa të prodhuesve të ujit” tha ai, raporton EkonomiaOnline.
Më tej, Shahini kërkoi që të përmirësohet ambienti i biznesit që qytetarët të mos kenë në mendje ta lëshojnë Kosovën por të punojnë në Kosovë.
“Në fundit të vitit 2014 dhe 2015, nga Kosova u larguan shumë qytetarë që me vete kanë marr më shumë se 100 milionë dhe në këtë formë po dëmtohemi nga të gjitha anët, theksoi Shahini.
Suad Berisha nënkryetar i AKB-së ka folur edhe për Ligjin për Prishtinën, duke thënë se, edhe pse i vonuar, është i mirëpritur nga komuniteti i biznesit.
“ Me këtë i mundësohet grand prej 4 për qind dhe i mundësohet një pavarësi në administrim e sidomos në ndërmarrjeve publike dhe përcaktimit të planit hapësinor të kryeqytetit”, tha Berisha.
Ndërsa, Sylejman Konushevci prodhues, tha se për shkak të politikave të dis – favorshme fiskale është detyruar që biznesin ta zhvendosë në shtetin Bullgar.
“Nuk kemi mundur t’i përballojmë tregut me politikat fiskale që kanë qenë dhe një pjesë të fabrikës e kemi atje. Me këto politika që ka miratuar qeveria do të shohim mirëpo nëse është e favorshme ne do të kthehemi këtu mirëpo ende ka shumë për tu bërë” tha Konushevci.