Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), në bazë të vendimit të Bordit të saj, nga nëntori i vitit 2026 do të nisë përgatitjet juridike dhe institucionale për themelimin e Qendrës Kosovare të Arbitrazhit pranë AKB-së (QKA–AKB), me synimin për të krijuar një mekanizëm profesional për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare dhe kontraktuale ndërmjet bizneseve vendore dhe ndërkombëtare. […]
AKB nis përgatitjet juridike për themelimin e Qendrës Kosovare të Arbitrazhit

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), në bazë të vendimit të Bordit të saj, nga nëntori i vitit 2026 do të nisë përgatitjet juridike dhe institucionale për themelimin e Qendrës Kosovare të Arbitrazhit pranë AKB-së (QKA–AKB), me synimin për të krijuar një mekanizëm profesional për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare dhe kontraktuale ndërmjet bizneseve vendore dhe ndërkombëtare.
AKB përmes një postimi në fazen zyrtare në rrjetin social Facebook, thotë se kjo nismë përbën një hap të rëndësishëm në angazhimin e AKB-së për forcimin e sigurisë juridike, përmirësimin e klimës së biznesit dhe krijimin e kushteve më të favorshme për investime dhe zhvillim ekonomik në Kosovë.
Procesi i përgatitjeve do të mbështetet në angazhimin e ekspertëve të së drejtës, juristëve dhe avokatëve vendorë e ndërkombëtarë. Puna do të përfshijë përgatitjen e bazës juridike, përcaktimin e strukturës organizative dhe institucionale, hartimin e rregullave të arbitrazhit dhe krijimin e kritereve për përzgjedhjen e arbitrave profesionistë, të paanshëm dhe të pavarur.
Qendra Kosovare e Arbitrazhit synon t’u ofrojë bizneseve një mekanizëm alternativ për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare dhe kontraktuale përmes arbitrazhit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Përmes kësaj nisme, AKB synon të kontribuojë në:
– Zgjidhjen më të shpejtë dhe fleksibile të kontesteve tregtare, përmes procedurave të përcaktuara qartë.
– Kursimin e kohës dhe shpenzimeve, duke synuar zvogëlimin e barrës financiare dhe administrative për bizneset.
– Rritjen e sigurisë juridike, përmes rregullave transparente dhe procedurave profesionale.
– Forcimin e besimit ndërmjet partnerëve afaristë, vendorë dhe ndërkombëtarë.
– Mbrojtjen e marrëdhënieve kontraktuale, duke krijuar mundësi shtesë për trajtimin profesional të mosmarrëveshjeve.
– Përmirësimin e klimës së investimeve, duke rritur besimin e investitorëve në mjedisin afarist të Kosovës.
AKB vlerëson se zhvillimi i mekanizmave alternativë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve është i rëndësishëm për një ekonomi moderne dhe konkurruese. Siguria e kontratave, paanshmëria në trajtimin e kontesteve dhe besimi ndërmjet partnerëve janë elemente thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm të biznesit.
Përgatitjet juridike dhe institucionale do të zhvillohen në disa faza,në kuadër të këtij procesi, AKB do të angazhohet në:
– Analizimin e legjislacionit të Kosovës dhe të praktikave ndërkombëtare të arbitrazhit.
– Hartimin e dokumenteve juridike dhe rregullave të funksionimit të Qendrës.
– Përcaktimin e strukturës organizative dhe të procedurave të arbitrazhit.
– Hartimin e kritereve për përzgjedhjen e arbitrave me përvojë dhe integritet profesional.
– Identifikimin e mundësive për bashkëpunim me institucione, organizata profesionale dhe ekspertë vendorë e ndërkombëtarë.
– Përgatitjen e kushteve të nevojshme për funksionalizimin e QKA–AKB-së, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Qendra synon që veprimtarinë e saj ta bazojë në parimet e profesionalizmit, paanshmërisë, konfidencialitetit dhe respektimit të ligjit, duke marrë parasysh standardet dhe praktikat e mira ndërkombëtare të arbitrazhit.
AKB synon më shumë siguri juridike dhe besim për të bërë biznes në Kosovë
Themelimi i Qendrës Kosovare të Arbitrazhit është pjesë e angazhimit të AKB-së për të krijuar mekanizma të rinj në shërbim të komunitetit të biznesit dhe për të kontribuar në ndërtimin e një mjedisi afarist më të sigurt, më transparent dhe më konkurrues.
Përmes kësaj nisme, AKB synon të mbështesë bizneset kosovare në zhvillimin e veprimtarisë së tyre dhe t’u ofrojë partnerëve e investitorëve ndërkombëtarë më shumë besim në marrëdhëniet kontraktuale dhe në mundësitë për zgjidhjen profesionale të mosmarrëveshjeve në Kosovë.
Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), thekson se me këtë nismë, AKB synon të forcojë sigurinë juridike për bizneset vendore dhe ndërkombëtare, duke krijuar një mekanizëm profesional për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare dhe kontraktuale. Qendra Kosovare e Arbitrazhit synon të rrisë besimin e investitorëve, të forcojë sigurinë e marrëdhënieve kontraktuale dhe të krijojë kushte më të favorshme për të bërë biznes në Kosovë.
Ne besojmë se siguria juridike, besimi dhe zgjidhja efikase e kontesteve janë parakushte të rëndësishme për tërheqjen e investimeve, zhvillimin e ndërmarrësisë dhe forcimin e ekonomisë së vendit. Qëllimi ynë është që bizneset vendore dhe ndërkombëtare ta shohin Kosovën si një vend ku marrëdhëniet afariste ndërtohen mbi besimin, profesionalizmin dhe respektimin e ligjit.
AKB do të vazhdojë punën për përgatitjen dhe zhvillimin e kësaj nisme, me synimin që Qendra Kosovare e Arbitrazhit të bëhet një mekanizëm i besueshëm dhe profesional në shërbim të bizneseve dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës.











