I shoqëruar nga presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, kandidati i AKR-së për kryetar të Drenasit, Elmi Thaçi, ka vazhduar fushatën parazgjedhore në fshatrat Llapushnik, Negrofc dhe Abri, ku para qytetarëve ka shpalosur programin ekonomik për zhvillimin e Drenasit.
Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, i cili kishte ardhur për ta përkrahur kandidatin e partisë për kryetar të Drenasit, para elektoratit tha se Drenasi dhe Kosova mund të zhvillohen dhe ndërtohen, por për këtë duhet vullnet dhe besim.
Pacolli ka folur për projektet të cilat tashmë kanë filluar të realizohen si dhe për ato që do të ndërtohen në një të ardhme shumë të afërt. “Ne jemi njerëz të punës, ne kemi dëshmuar që dimë të punojmë dhe ne gjithmonë i kemi mbajtur premtimet”.
“Elmiu është njeri i punës, ndërsa unë jam i bindur që ai do të jetë kryetari i qëlluar për Drenasin dhe për këtë ai e ka mbështetjen time të fuqishme”, ka deklaruar Pacolli, para qytetarëve të Drenasit.
Pacolli më tej ka shtuar se shumë njerëz mund të kërkojnë votë, por janë të paktë ata që mund të kryejnë punë në të vërtetë, “Ne jemi alternativa e vetme për qytetaret e Drenasit. Ne jemi ata që do ta realizojmë ëndrrën e të rinjve për shkollim dinjitoz, punësim dhe perspektivë për të gjithë”, ka theksuar i pari i AKR-së.
Ndërsa kandidati i AKR-së për kryetar të Drenasit, Elmi Thaçi, është zotuar se me përkrahjen e presidentit Pacolli, do të hapen vendet e reja të punës dhe do të ketë investime të reja kapitale.
Elmi Thaçi deklaroi para qytetareve se AKR-ja do ta zhvillojë Drenasin dhe këtë do ta bëjë me mbështetjen e kryetari të partisë.
“Drenasi është vend ideal për investime, ne kemi filluar me ndërtimin e dy fabrikave dhe ky është vetëm fillimi sepse ne e duam Drenasin qytetarët e meritojnë këtë”, tha ai.