Deputeti i zgjedhur i AKR-së, Korab Sejdiu, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se bisedimet ndërmjet koalicionit LAA dhe Vetëvendosjes kanë arritur një progres të caktuar dhe se beson që do të arrihet një koalicion mes tyre.
“Ka pasur disa takime, kanë qenë në nivel programor. Është arritur një progres i caktuar. Shpresoj që do të bëhet, do të realizohet një koalicion mes dy partive”, tha nënkryetari i AKR-së.
“Dhe me dështimin e koalicionit PAN që ta themelojë qeverinë, atëherë të bartet timoni tek koalicioni i gjerë që do të përfshijë koalicionin tonë dhe Lëvizjen Vetëvendosje”.
Sejdiu përsëriti qëndrimin se koalicioni në të cilin ai bën pjesë nuk do të votojë qeverinë e formuar nga PAN-i.
Madje, nuk kanë ende qëndrim as për kryetarin e Kuvendit, i cili dihet se i takon koalicionit fitues të zgjedhjeve.
Mirëpo, Sejdiu konsideron se kushdo që propozohet të jetë i pranueshëm për shumicën e deputetëve të Kuvendit.
“Në momentin që shpallet kandidatura e dikujt për krye parlamentar atëherë natyrisht edhe ne do të deklarohemi lidhur me personin në fjalë. Vetëm kisha shtuar që kisha pasë dëshirë që çfarëdo kandidati që të kandidohet nga ana e koalicionit PAN të jetë dikush që është i pranueshëm për të gjithë ata që janë deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe natyrisht që të mundësoj njëfarë roli unifikues të kryeparlamentarit i cili do ta ndihmojë funksionimin normal të Parlamentit”, thotë Sejdiu në këtë intervistë për EO.