Policia ka njoftuar sot për aksidentin, i cili kishte ndodhur të enjten, ku një automjet udhëtarësh ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në lumin e Plavës, në aksin rrugor, Plavë Dragash.
“I dyshuari mashkull, shqiptar, përderisa ishte duke drejtuar veturën, ka humbur kontrollin mbi veturën dhe del jashtë rrugës. Si pasoj e aksidentit, i dyshuari dhe një pasagjere femër, shqiptare, pësojnë lëndime trupore dhe të njëjtit dërgohen për tretman mjekësor në spitalin e Prizrenit”, thuhet në raportin e policisë.
Redaksia jonë ka biseduar me të lënduarit dhe mësohet se gjendja e tyre shëndetësore është e mirë.
Ndërkohë, sipas tyre, deri tek aksidenti ka ardhur kur, nga drejtimi i kundërt, një automjet me shpejtësi kishte dalë në anën e tyre dhe, për t’i ikur aksidentin, drejtuesi kishte shfrytëzuar skajin e rrugës jashtë asfaltit. Por, automjeti kishte rrëshqitur, për të përfunduar në fund të greminës, në lum.
Vlen të theksohet se, në këtë pjesë të rrugës, nga udhëkryqi i fshatit Rrenc e deri tek udhëkryqi i fshatit Rapçë, pothuajse çdo javë ndodh të paktën një aksident dhe, deri më tani, askush nga kompetentet nuk ka marrë masa. Përpos rrugës që është e dëmtuar, nuk janë parë as shenja shtesë dhe as bordure skaj lumit, shkruan radiosharri.