Ngjarje e rëndë në superstradën Tiranë-Durrës ku humbin jetën tri shoqet Greta Sherifi, Izabela Balla dhe Elona Kaçibaro. Viktimë mbeti edhe shkaktari i ngjarjes Dashnor Deliallisi. Policia konfirmon se shkaktari i aksidentit lëvizi në sens të kundërt dhe po ndiqej nga policia për ta ndaluar. Nga analizat e para rezultoi se autori kishte konsumuar lëndë narkotike, gjithsesi është kërkuar riekspertim për të dalë në versionin zyrtar.
Ndoshta nën efektin e drogës, ecte me shpejtësi 150 km/h, lëvizje në sens të kundërt të superstradës dhe bilanci në fund u mbyll me tragjedi.
Tri vajza të cilat po udhëtonin me automjetin e tyre në drejtim të Durrësit janë përplasur fuqimisht nga automjeti që drejtonte 36-vjeçari Dashnor Deliallisi, që nga analizat paraprake dyshohet se ishte nën efektin e drogës.
Fatkeqësisht Greta Sherifi 23 vjeçe, Izabela Balla, 33 vjeçe, si edhe Elona Kaçibaro, 34 vjeçe, gjetën vdekjen në mënyrë të menjëhershme.
Viktimë mbeti edhe 36-vjeçari Dashnor Deliallisi, që u bë shkaktar i aksidentit.
Ngjarja ndodhi rreth orës 04:15 të ditës së djeshme në afërsi të Sukthit në Durrës.
Sipas burimeve të policisë, Deliallisit i ishte bërë shenjë për të ndaluar nga ana e policisë, pasi vunë re se po lëvizte në sens të kundër të superstradës.
Në vend të ndalimit ai shton shpejtësinë dhe pas pak kilometrash ndodhi aksidenti me katër viktima.
“Shërbimet e policisë i kanë bërë shenjë të ndalonte, por drejtuesi i mjetit ka shtuar shpejtësinë duke vënë në rrezik jetën e punonjësve të policisë. Menjëherë efektivët e policisë në postbllok kanë njoftuar sallën operative dhe janë vënë në ndjekje, por mjeti është shkëputur duke përfituar në kohë pasi lëvizte në sens të kundërt dhe shërbimet e policisë nuk kanë lëvizur në sens të kundërt. Këto shërbime kanë konstatuar pak minuta më vonë se po ky mjet ishte përfshirë në një aksident në autostradën Tiranë-Durrës, në Sukth, rreth orës 04:15” -njofton zyrtarisht Policia e Durrësit.
Përplasja ka qenë mjaft e fortë, aq sa shërbimeve zjarrfikëse u është dashur disa orë për të nxjerrë nga rrënojat e automjeteve katër trupat e pajetë.
Policia sqaron se personi i cili shkaktoi aksidentin, Dashnor Deliallisi po udhëtonte jo vetëm në sens të kundërt, por me një shpejtësi të madhe, rreth 150 km/h.
Ka qenë thuajse e pamundur nga strukturat e rendit të parandalonin këtë ngjarje, pasi autori nuk i është bindur policisë, për më shumë nga analizat paraprake rezultoi se kishte përmbajtje lëndësh narkotike, gjithsesi konfirmimi zyrtar ende nuk ka mbërritur, pasi është kërkuar që për të qenë të sigurt të kryhen edhe një herë analizat.
Viktimat e papërgjegjshmërisë së 36-vjeçarit mbetën tri vajzat e reja që po ecnin në superstradë me synim të shkonin në Greqi, por për ta udhëtimi i fundit u mbyll në mënyrën më tragjike të mundshme në afërsi të Sukthit.
Autori i ngjarjes nuk është një emër i panjohur për policinë durrsake.
Në vitin 2011 ai ishte proceduar për tentativë vrasje, ndërsa bënte një jetë luksoze dhe në fotot e publikuara në rrjete sociale afishonte makina të shtrenjta.
Ndërsa në mëngjesin e djeshëm ka lëvizur në drejtim të Tiranës, por mesa duket nën ndikimin e lëndëve psikotrope është futur në sensin e kundërt të superstradës dhe kur ka parë që policia i dha sinjalin e ndalimit ka shtuar shpejtësinë për t’i shpëtuar ndëshkimit.
Pak kilometra më larg shkaktoi aksidentin e rëndë me katër të vdekur në vend, tri vajza dhe vetë autori.
Ekspertët e policisë që mbërritën në vendin e ngjarjes u shprehën se dëmtimet trupore të viktimave ishin të shumta dhe tentativat për t’i shpëtuar ishin të kota, pasi që të katër humbën jetën në mënyrë të menjëhershme.
Vajzat, mike të ngushta, tragjedi dyfishe në familjen Gega
Tri vajzat që u bënë viktimë e aksidentit të rëndë ishin mike të ngushta me njëra-tjetrën dhe ditën e djeshme kishin planifikuar udhëtimin drejt Greqisë pranë të afërmve. Por fati i keq ka ndjekur më shumë familjen e Izabela Ballës (Gega). Ajo është vajza e dytë e familjes që humb jetën në aksident automobilistik. Në vitin 1987, M. Gega vetëm 9-vjeçare, motra e Izabelës vdiq në një aksident automobilistik në Dajt të Tiranës.
Autobusi ku udhëtonte e mitura doli nga rruga dhe për pasojë ajo humbi jetën. Aksidenti atëherë ndodhi në zonën pranë minierës së boksiteve në Dajt dhe ishte mbushur me nxënës shkolle. E ndërsa kjo ngjarje e rëndë mbetej ende në kujtesën e familjes Gega, lajmi që morën dje për humbjen edhe të Izabelës në aksident ua shtoi edhe më shumë dhimbjen. Të afërmit e tri vajzave shkuan për të tërhequr trupat e pajetë dhe ishin në gjendje të shokuar nga fatkeqësia e papritur. Ata kanë treguar se të aksidentuarat kishin planifikuar disa ditë më parë udhëtimin, ndërsa lajmëruan familjarët që i kishin në Greqi se sapo ishin nisur. Ndërsa ata prisnin mbërritjen e tyre u ka ardhur lajmi i rëndë për humbjen e të tria shoqeve.