Policia e Kosovës ka raportuar për disa raste që lidhen me posedimin e narkotikëve dhe armëve ilegale gjatë 24 orëve të fundit, ku janë arrestuar disa persona dhe janë sekuestruar substanca narkotike, armë dhe municion.
Në Prishtinë, në rrugën “Rrahim Beqiri”, dy persona u arrestuan pasi gjatë kontrollit policor në posedim të tyre u gjet marihuanë. Me urdhër të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
Një tjetër arrestim është kryer në rrugën “Isa Boletini”, ku një i mitur u kap me 3.65 gramë substancë narkotike. Me vendim të prokurorit ai është dërguar në mbajtje për 24 orë.
Po ashtu, Policia ka arrestuar një person të kërkuar në lidhje me një rast të posedimit ilegal të narkotikëve, i cili kishte ndodhur më 5 qershor në rrugën “Ismail Dumoshi” në Prishtinë. Pas intervistimit, ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Në Podujevë, gjatë kontrollit në një lokal në rrugën “Afrim Zhitia”, policia identifikoi dy persona tek të cilët u gjetën një thikë dhe një sasi e dyshuar marihuane. Pas intervistimit, të dyshuarit u liruan në procedurë të rregullt.
Ndërkohë, në pikën kufitare të Vermicës, policia arrestoi një shtetas të Shqipërisë pasi gjatë kontrollit të automjetit të tij u zbuluan mbi 104 gramë kokainë. Përveç narkotikëve, autoritetet sekuestruan edhe veturën dhe një telefon mobil. I dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Në një rast tjetër në Vermicë, një shtetas tjetër i Shqipërisë u kap me 5.53 gramë marihuanë gjatë kontrollit të veturës. Pas intervistimit, ai u lirua në procedurë të rregullt.
Po ashtu, në Skenderaj, gjatë një pike kontrolli në rrugën “Fadil Rrustemi”, policia ndaloi një automjet dhe gjatë kontrollit gjeti një armë zjarri, një karikator dhe shtatë fishekë të kalibrit 7.65 milimetra. I dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje për 48 orë.
Të gjitha rastet janë duke u hetuar nga njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës.