Është arrestuar Bedri Halimi kryeinspektor në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), raporton Ekonomia Online.
Halimi është në mesin e 7 personave në arrestuar në kuadër të aksionit të njohur si “Brezovica”.
Gjatë aksionit u arrestua edhe një zyrtar i kësaj ministrie, ndërsa edhe pesë të arrestuar janë qytetarë të dyshuar për dhënie ryshfeti.
Kryeinspektori Halimi më parë ka qenë i akuzuar edhe për ndërtimet në Prevallë.
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka dhënë detaje rreth këtij aksioni.
“Me urdhër të Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës është duke vazhduar aksioni i filluar me datë 21 dhjetor 2021 për rastin ‘Brezovica’, ku janë duke u bastisur 10 lokacione në qytete të ndryshme, ndër to edhe zyrat e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”, thuhet në njoftimin e tyre.
Kjo prokurori bëri të ditur se të arrestuarit dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti, raporton EO.
“Deri me tani janë arrestuar shtatë persona, dy prej tyre janë zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare – marrje ryshfeti, si dhe pesë qytetarë të dyshuar për dhënie të ryshfetit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Ferizajt.
Kurse më 21 dhjetor, Policia e Kosovës kreu një aksion në Shtërpcë lidhur me ndërtimet.
Më pas, Gjykata Themelore në Ferizaj e ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për dhjetë personat e arrestuar më 21 dhjetor në rastin “Brezovica”.
Në mesin e tyre është edhe Bratisllav Nikolliq, ish-kryetar i Komunës së Shtërpcës dhe zyrtar i Listës Serbe.
Arrestimi i tyre është bërë nën dyshimin për vepra penale si keqpërdorim i detyrës zyrtare, marrjes dhe dhënies së ryshfetit, gjegjësisht për dhënien e leje për ndërtimet në Brezovicë.
LEXONI EDHE: