Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur sot aktakuzë në Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Pejë, kundër dy të pandehurve për vepër penale, në bashkëkryerje: Bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht në çfarëdo forme të konflikteve të armatosura jashtë territorit të Republikës së Kosovës nga neni 3 paragrafi. 4 të Ligjit për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit të (Ligjit Nr. 05/L -002) lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK-së) dhe për njërin prej tyre edhe në drejtim të veprës penale:
Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me nenin 4 paragrafi 1 nen paragrafi 1.1 pika 1.1.2 të Ligjit të zbatueshëm për armët Nr.03/l-143.
Të akuzuarit janë: N.K. dhe N.B. dhe për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit në këtë rast duke vepruar në bashkëkryerje, kanë menaxhuar me një radio dhe portal në territorin e Kosovës, në periudhën kohore gjatë viteve 2014 – 2015, duke vazhduar deri në fund të muajit korrik të vitit 2016, përmes së cilës emetonin propagandimin dhe zhvillimin e aktiviteteve të organizatave terroriste, si “Al-Qaida” dhe “ISIS”.
Kjo është bërë me qëllim që të nxisin të rinjtë kosovarë për t’iu bashkuar organizatave terroriste të lartcekura, duke mos u kufizuar në postimin e shkrimeve dhe fotografive edhe në rrjetin social “Facebook” me të njëjtin emër, të siguruara nga rrjete sociale nga web faqe të ndryshme të internetit, të cilat këta të pandehur i përdornin si mjete për propagandimin mbi zhvillimet e fundit të luftës së këtyre organizatave, në Siri dhe Irak.
Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cila i ka propozuar Gjykatës që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, të pandehurit, për veprat penale që akuzohen, t’i shpallë fajtor dhe t’i gjykojë sipas ligjit.