Aktakuzë ndaj avokatit për kallëzim të rremë, pretendonte se gjykatësi ka keqpërdorur detyrën zyrtare

Prishtinë | 22 Maj 2023 | 10:23 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Prizren, më 8 maj 2023, në Gjykatën Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj avokatit Bestar Kolgeci për kallëzim të rremë, pasi i njëjti kishte parashtruar kallëzim penal ndaj gjykatësit Gëzim Shehu me pretendimin se ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare.

Sipas aktakuzës ]ndaj avokatit Kolgeci, Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë për veprën penale “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë” nga neni 382, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se, Kolgeci më 18 korrik 2022, në Prokurorinë Themelore në Prizren, në Departamentin e Krimeve të Rënda, ka bërë lajmërim të rremë te personi zyrtar i ngarkuar me detyrën për të hetuar apo ndjekur, se personi i caktuar ka kryer veprën penale e cila ndiqet sipas detyrës zyrtare, duke e ditur se personi i tillë nuk është kryerësi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës, Kolgeci kishte bërë kallëzim penal ndaj të dëmtuarit Gëzim Shehu me pretendimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 i KP-së.

Tutje, në aktakuzë thuhet se kallëzimi penal i paraqitur nga i pandehuri Kolgeci është hudhur poshtë me aktvendimin e 30 shtatorit 2022.

Në arsyetimin e aktit akuzues, thuhet se në bazë të grumbullimit të fakteve dhe provave, është vërtetuar se Kolgeci ka kryer veprën për të cilën ngarkohet dhe se deklarimet e të pandehurit në drejtim të shmangies së përgjegjësisë penale janë në kundërshtim me faktet dhe provat të cilat janë në shkresa të lëndës.

Të ngjashme