Prokuroria Themelore e Pejës, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka njoftuar se ngritur aktakuzë kundër pylltarit B.K., me dyshime për veprën penale keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar, nga neni 422 paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe një qytetari të dyshuar për prerje pa leje pylli.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, i pandehuri B.K., gjatë kryerjes se pozitës zyrtares në cilësinë e pylltarit të terrenit në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Departamenti i parkut nacional “Bjeshkët e Nemuna”, më 17 shtator të vitit 2018, rreth orës 12:35 në fshatin Hulaj të Deçanit, nuk ka vepruar sipas kompetencave dhe obligimeve të tij. “Ashtu që me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për tjetrin dhe atë XH.K. (ndaj të cilit është ngritur aktakuza për vepër penale ‘Vjedhje e pyllit’ nga neni 358 par. 1 të KPRK-së), i cili ishte duke transportuar drurët në sasi prej 12.06 kubikësh të prera pa leje, i pandehuri B.K. edhe pse ishte i obliguar, nuk e ndalon fare për kontroll XH.K. dhe ai këta drurë i shet te një person tjetër. Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar si me sipër”, ka njoftuar Prokuroria e Pejës.
Sipas Prokurorisë, prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i ngarkohet. Ky është rasti i parë sivjet që është ngritur një aktakuzë ndaj një punëtori të drejtorisë së Parkut Kombëtar në Pejë. Në Drejtorinë për administrimin e PK “Bjeshkët e Nemuna” në Pejë, punëtorë i të cilës është pylltari i akuzuar, thonë se nuk kanë njohuri që ndaj B.K. është ngritur aktakuzë, por e konfirmojnë se rasti është hetuar nga prokuroria.