Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër ish kryetarit të Komunës së Suharekës, Sali Asllanaj.
Ai dyshohet se sa ka ushtruar këtë detyrë e ka keqpërdorur atë, bashkë me ish drejtorin e Drejtorisë Komunale të Arsimit në Suharekë, Sherif Berisha dhe drejtorin e shkollës në fshatin Nishor të kësaj komune M.H., njofton prokuroria, përcjell Klan Kosova.
Akuza që rëndon mbi ta është “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
“Sipas aktakuzës, të pandehurit dyshohen se duke e shfrytëzuar pozitën zyrtare, i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër, lidhur me Marrëveshjen për Mirëkuptim dhe Bashkëfinancim ndërmjet Komunës së Suharekës dhe OJQ-së “Kosovo Hope” për projektin “Transporti i nxënësve”, duke shkelur Ligjin e Prokurimit Publik me ç’rast i shkaktojnë dëm buxhetit të Kosovës në shumën totale prej 10.556.00 €”, thuhet në kumtesë.