Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj kardiologut Artan Ahmeti, me të cilën e akuzon se i ka shkaktuar lëndim të lehtë trupor kolegut të tij, kardiologut Fisnik Veliu.
Ky sulm fizik ishte edhe shkas që 18 kardiologë të protestonin duke kërkuar shkarkimin e drejtorit të klinikës, për mosndëshkim të Ahmetit.
“Më 1.08.2023, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër A.A., në drejtim të veprës penale “Lëndimi i lehtë trupor”, nga neni 185 paragrafi 1, nën paragrafi 1.4 të KPRK-së”, konfirmoi Laureta Ulaj, Zyrtare për Informim në Prokurorinë e Prishtinës.
Në aktakuzën e siguruar nga KALLXO.com thuhet se sulmi ka ndodhur më 31 maj në Kardiologji, pasi që doktorët nuk u morën vesh për respektimin e radhës në njërën sallë të klinikës.
“Artan Ahmeti me datë 31 maj 2023, rreth orës 10:15, në QKUK, me dashje i shkakton lëndim trupor të dëmtuarit Dr.Fisnik Veliu, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshjeje verbale lidhur me respektimin e radhës në sallën e intervenimit në Repartin e Kardiologjisë, i dëmtuari e largon pacientin e tij nga salla dhe pasi del në korridor pas tij vjen i pandehuri dhe me grusht dore e godet një herë në pjesën e poshtme të fytyrës, gjegjësisht në pjesën e djathtë të nofullës” – përshkruhet ngjarja në aktakuzë.
Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që kryen veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” dënohet me gjobë ose me burgim deri në tri vjet. Ahmeti i kontaktuar nga KALLXO.com tha se nuk ka pranuar këtë aktakuzë dhe shtoi se e ndjen veten 100% të pafajshëm.
Komisioni disiplinor i QKUK-së kishte marrë vendim për dënimin e të dy doktorëve me ndalesë të 40% të pagës mujore, për 6 muaj.Drejtoria e ShSKUK-së e kishte konfirmuar këtë për KALLXO.com më 17 korrik.Pas ankesave të ushtruara nga të dyja palët lidhur me këto vendime, Komisioni i Ankesave në QKUK i kishte anuluar ato, më 4 gusht.Në arsyetimet e të dyja vendimeve thuhet se komisioni i ankesave konstaton se mungon vërtetimi i drejtë dhe i plotë i gjendjes faktike si dhe i provave dhe dëshmive të prezantuara, për ngjarjen e datës 31 maj 2023 në Klinikën e Kardiologjisë.
Kërkesa e kardiologëve për shkarkimin e shefit të tyre
18 kardiologë protestuan para klinikës duke kërkuar shkarkimin e drejtorit të Kardiologjisë, Lulzim Kamberi, më 29 shtator.
Protesta e tyre u shoqërua me pankarta ku shkruhej “Të suspendohet dhunuesi! Dhunuesi ka emër”, “Stop keqmenaxhimit të klinikës”, “Stop diskriminim e pacientëve nga lista e pritjes!”, “Stop diskriminimit gjinor, profesional e edukativ”.
Në një peticion që ata kanë nënshkruar, thuhet se Kamberi ka prolonguar qëllimshëm paraqitjen e Ahmetit në komision disiplinor, në mënyrë që ai të mund të zgjidhej shef i Njësisë Koronare.
Kardiologët pretendojnë se Kamberi ka ushtruar presion dhe dhunë psikike me qëllim të manipulimit të deklaratave të dëshmitarëve okularë, në rastin e sulmit fizik të pretenduar për ta relativizuar aktin e dhunës dhe shpalljen e dhunuesit si të pafajshëm në këtë rast. Ata kanë kërkuar shkarkimin e drejtorit edhe për shkak të “paaftësisë menaxheriale, diskriminimit në baza gjinor, rolit përçarës dhe ikjes nga përgjegjësia profesionale”.
Drejtori Lulzim Kamberi në një reagim ka deklaruar se kërkesa e këtij grupi për ta “suspenduar dhunuesin dhe menaxhmentin që mbron dhunuesin”, është kërkesë mbi ligjin sepse, sipas tij, organet ligjore kanë thënë fjalën e tyre.
Kamberi kishte shtuar se në rast se provohen këto pretendime, ai është i gatshëm të barte përgjegjësitë morale e ligjore, e në rast se nuk provohet një gjë e tillë, Kamberi ka thënë se do të kërkojë përgjegjësi për njolluesit dhe shpifësit imagjinar. 5 muaj pas sulmit, drejtoria e ShSKUK-së tha për KALLXO.com se në vazhdimësi e bëjnë matjen e performancës së punës në këtë klinikë, pasi që u pyet se a kanë arritur në përfundime konkrete lidhur me pretendimet e kardiologëve.
Më tej, në përgjigje thuhet se drejtori i ShSKUK-së, Evlir Azizi ka takuar të dyja palët dhe menaxhmentit i është tërhequr vërejtja për relaksim të raporteve nder-kolegiale. Bordi dhe drejtori i ShSKUK-së kanë pranuar disa herë peticionin në fjalë dhe kërkesa për të dënuar sulmin fizik. Në mbledhjet e tyre, të cilat monitorohen nga KALLXO.com, drejtori ka thënë se do të punojnë për të parë nëse pretendimet janë të vërteta.
“Siç jeni në dijeni Bordi Drejtues i ShSKUK-së, ka diskutuar peticionin e kardiologëve dhe i njëjti është konstatuar se nuk mund të merret si bazë për të ndërmarrë veprime kundër menaxhmentit të një klinike apo institucioni” – përfundon përgjigja e drejtorisë.
Kryesuesi i Bordit, Naim Bardiqi pati thënë se nëse ka fakte se janë shkëmbyer grushte, më e pakta që mund të bëhet është suspendimi apo shkarkimi, pasi që siç tha ai kjo konsiderohet shkelje e rëndë e rregullave të punës.