Ezgon Azemi, aktivisti i LVV-së dhe këshilltari politik i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, ka dhënë një koment pas zhvillimeve të fundit në Kosovë.
Pas rrëmbimit të tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës të mërkurën gjatë ditës nga forcat serbe, Azemi është i mendimit se tash ka ardhur koha që FSK-ja të shkojë në veri.
“Është koha që FSK të dërgohet në veri të vendit”, shkroi ai në Facebook, ndonëse një gjë e tillë aktualisht është e ndaluar.
Për çështjen e dërgimit të FSK-së në veri foli edhe Albin Kurti. Kryeministri i Kosovës pas mbajtjes së mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, përmendi ish-presidentin, Hashim Thaçi, para gazetarëve pikërisht për këtë temë.
Sipas tij, për shkak të një “zotimi të njëanshëm” të Thaçit ndaj NATO-s në kohën kur ishte kryeministër, “ne nuk kemi ushtri të Kosovës në veri të vendit”.
“Para një dekade, ish kryeministri Thaçi ka dërguar një zotim të njëanshëm ish sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Rasmussen, ku i thotë qe forcat e sigurisë së Kosovës nuk do ta kalojnë lumin Ibër dhe që prej vitit 2013 ne nuk kemi ushtri në veri të Kosovës për shkak të këtij zotimi ndaj NATO-s”, tregoi Kurti.
“Rrjedhimisht NATO, përkatësisht KFOR-i është ushtria e Kosovës në veri të Kosovës dhe kufirin e ruan ushtria. Ne do të bëjmë maksimumin në policinë tonë por për të qenë plotësisht të suksesshëm aty duhet të jetë KFOR-i”.