Albin Bytyçi, kadeti i parë i përzgjedhur për të studiuar në Akademinë e Forcave Ajrore në ShBA

Prishtinë | 18 Qer 2020 | 15:01 | Nga Ekonomia Online

Kadeti i parë nga Kosova i përzgjedhur për të studjuar në Akademinë e Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Albin Bytyçi po bën përgatitjet e fundit fizike para nisjes për në Colorado Springs të SHBA-ve, ku do të jetë pjesë e gjeneratës 2024 të kësaj akademie. Në një postim në facebook, Albin Bytyçi shihet përkrah xhaxhait të tij, gazetarit të njohur të luftës, Nuhi Bytyçi, në parkun e Gërmisë në Prishtinë.

“Bashkë me babin iu bashkuam iniciativës së Albinit për të ecur e vrapuar stazës së gjatë dhe magjepsëse të Gërmisë. Albini gjithmonë ka iniciativa të mira! Të gjithë jemi krenar me edukatën dhe formimin e Albinit tonë, si dhe me sukseset e tij të posaçme të nivelit ndërkombëtar, përmes të cilave në një të ardhme të afërt ai do t’i shërbejë zhvillimit të vendit!” ka shkruar në facebook arkitekti Arianit Bytyçi, i biri i gazetarit Nuhi Bytyçi.

Sipas një njoftimi zyrtar të para disa javëve, Forca e Sigurisë së Kosovës, që nga themelimi i saj për herë të parë, do të dërgoj kadet për tu shkolluar në Akademinë e Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kadeti i përzgjedur është Albin Bytyçi.

Në njoftimin e FSK-së më tej thuhet se “Të gjitha testimet si dhe nominimet e kandidatëve, janë bërë në kuadër të bashkëpunimit në mes të Ambasadës Amerikane në Kosovë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kandidatët ju kanë nënshtruar testeve rigoroze, duke filluar nga Testi i Inteligjencës, Testi i gjuhës angleze ECL, Testi SAT si dhe Testi Fizik. Kadeti Albin Bytyçi, ka qenë kandidati i cili në bazë të përformancës së testeve dhe kritereve tjera të përcaktuara, është përzgjedhur nga Akademia e Forcave Ajrore të SHBA-ve për shkollim në kuadër të gjeneratës 2024”.

Të ngjashme