Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ish-presidentin e Kroacisë, Stipe Mesiq, dhe ish-presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi.
Kryeministri Kurti tha se përvoja dhe trashëgimia e dy ish-presidentëve është shumë e vlefshme.
“Është nder dhe kënaqësi që jeni në Kosovë. Përvoja dhe trashëgimia juaj është shumë e vlefshme”.
Edhe Mesiq e Topi falënderuan kryeministrin Kurti për pritjen.
Ish-presidentët Mesiq dhe Topi janë pritur edhe nga presidentja Vjosa Osmani, si dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca.
Presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet tri shteteve, përballë sfidave rajonale dhe globale dhe në funksion të stabilitetit dhe avancimit të agjendave Euro-Atlantike në Ballkanin Perëndimor.
Ajo ka shprehur besimin e saj se ish-presidentët Mesiq dhe Topi do vazhdojnë të jenë avokues për Republikën e Kosovës në qarqe dhe forume ndërkombëtare ku ata marrin pjesë.